Më datë 16 shtator të këtij viti, në një lokal të Kavajës ku dyshohet se ishte pa leje, Rizan Aliu qëlloi me mjet prerës dy shtetas, Besnik Çelmetën dhe M.A. Sipas burimeve ngjarja ka nisur pas një debati për qenin, ndërsa autori pretendonte dhe kërkonte që Çelmeta të mos e linte qenin jashtë rrethimit të banesës së tij. Gjykata e Kavajës ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest me burg” me afat 60 (gjashtëdhjetë ditor) për 45 vjeçarin Rizan Aliu. Trupa gjykuese miratoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg” por ajo vendosi një afat 60 (gjashtëdhjetë ditor) pasi kërkoi nga prokuroria paraqitjen para saj të raportit mjeko-ligjor të të dëmtuarve për cilësimin e akuzave të ngritura ndaj 45-vjeçarit pas pretendimeve të ngritura edhe nga pala mbrojtëse e tij.
Për të ndaluar autorin ndërhyri edhe nipi i Çelmetes, por Rizan Aliu e qëllon edhe atë me mjet prerës. U desh ndërhyrja e një tjetër personi që e bindi autorin të largohet. Në pamjet që siguronte kamera e lokalit, para se të dalë nga lokali, Aliu e kërcënon përsëri nipin e Besnikut me thikë në fyt, por fatmirësisht nuk e godet. E gjithë skena ndodhi në prani të vajzës së vogël të autorit. Si pasojë Besnik Çelmeta dhe nipi i tij u dërguan në Spitalin e Kavajës ku morën ndihmë mjekësore. Mësohet se raportet mes dy fqinjëve, Besnik Çelmetes dhe Rizan Aliut kishin qenë shpesh herë të tensionuara për motivin banal të hedhjes së mbeturinave.