Vazhdon pa u trembur kalvari i tenderave problematikë në vendin tonë. Problemi është se nuk janë tendera të drejtë dhe të “pastër” ashtu siç duhet në fakt të ishin, por sheh çdo ditë çudira nga më të ndryshmet. Njëra prej tyre është edhe të shohësh se si Agron Papuli i “CLASSIC” sh.p.k. garon me veten e tij dhe... Humb? Normalisht që jo. Fiton pa më të voglin dyshim. E ku ka më bukur se të garosh me veten apo jo?
Po përse e themi këtë? E themi sepse rezulton se në një tender ku kjo firmë ka marrë pjesë, nuk ka patur asnjë garues tjetër. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-66735-07-24-2020. Objekti i tenderit është “Blerje automjetesh” ndarë në 2 (dy) lote me fond limit: 23,275,833.8 lekë të reja (pa TVSH). Në rastin konkret bëhet fjalë për lotin e dytë, “Blerje Ambulanca për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve” me fond limit: 6,627,777.8 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 80 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Rezulton se kompania e Papulit ka ofruar 6,600,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 79 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kuptohet qartë që vlera e ofruar është pothuajse e njëjtë më fondin limit, përkatësisht sa 99,58% e tij. Siç e kemi thënë shumë shpesh, një përqindje e tillë është një indice e qartë se tenderi është i dyshimtë dhe se gjithçka është paracaktuar. Kjo përforëcohet akoma më tepër kur fituesi nuk ka patur konkurrentë të tjerë.