Lionel Messi ka hedhur pas krahëve ngjarjet e bujshme ku u përfshi personalisht gjatë kësaj vere teksa kërkoi largimin nga Barcelona dhe kthehet protagonist në fushë. Blaugranët fituan 3-1 miqësoren e sotme ndaj Gironës dhe Messi ka shkëlqyer me një dygolësh dhe një asistim të jashtëzakonshëm. Golin e parë e shënoi me një të djathtë të mrekullueshme nga jashtë zonës, ndërsa të dytin nga distanca, por i ndihmuar nga devijimi i kundërshtarit. Në rreshtimin 4-2-3-1 të Koemanit, Messi e nisi takimin pas shpinës së Griezmannit, përkrah tij, Coutinho dhe Trincao.
Argjentinasi dhe francezi shpesh i shkëmbyen pozicionet e tyre në fushë, duke e lënë Gironan pa pika referimi. Ndeshja e Messit zgjati 61 minuta dhe përfundoi me një shtrëngim duarsh të bukur me trajnerin e ri, Koeman. Siç pritej, në këtë miqësore nuk ishin të grumbulluar Suarez dhe Vidal. Sulmuesi uruguaian ndiqet nga Juventusi, ndonëse nuk përjashtohet qëndrimi i tij në Katalunjë, ndërsa kiliani është një hap larg Interit të Antonio Contes.