I paparë Laerti nga Tepelena! Përsëri godet me një tender tjetër për institucionin që drejton, Posta Shqiptare. Kësaj rradhe duket se ka kaluar përtej çdo limit. E dini që ka planifikuar të shpenzojë gati 48 milionë lekë të vjetra me TVSH? Për çfarë do të mendoni ju? Për ndonjë rikonstruksion godine apo për ta bërë sa më komode pritjen e qytetarëve në rradhë? As njërën dhe as tjetrën. Këto 48 milionë lekë Laerti do t’i përdorë për të blerë shirita plastikë.
Po, po. Shirita plastikë! Bëhet fjalë për një tender që mban numrin e referencës REF-67465-07-30-2020. Objekti i procedurës është “Blerje shirita plastikë me numurator për thasë”. Tenderi është hapur në datë 03.08.2020 dhe mbyllet pas disa ditësh, përkatësisht më 17.08.2020. Sipas të dhënave të tenderit, rezulton se Laertit i nevojiten plot 300 mijë shirita plastikë.
Por përtej “çmendurisë” së fondit limit prej 48 milionë lekësh të vjetra me TVSH, le t’i hedhim një sy specifikimeve teknike. Nëpërmjet këtyre është shumë e lehtë që tenderin ta fitojë kompania që është përzgjedhur “nën rrogoz”. Përshembull, Laerti kërkon që të gjithë shiritat plastikë të jenë me ngjyrë të verdhë. Pra nëse një kompani pjesëmarrëse në garë ofron lidhëse cilësore dhe me kosto shumë më të lirë se fondi limit, por me ngjyrë portokalli (pra jo të verdhë), ajo skualifikohet automatikisht.
E njëjta gjë vlen për shembull edhe për numrat e serisë që duhet të kenë lidhëset në fjalë. Kërkohet detyrimisht sipas specifikave të tenderit që lidhëset të kenë numra serie vetëm me 7 shifra. Pra nëse lidhëset kane 6 apo 8 numra serie, ato skualifikohen automatikisht, ndonëse kompania që bën ofertën mund të ofrojë çmim më të ulët se fondi limit.
Këto janë dy raste tipike që mund të përdoren fare mirë për kompaninë e cila është përzgjedhur si fituese paraprakisht, e cila mesa duket lidhëset i paska ngjyrë të verdhë dhe numrat e serisë me 7 numra! Jepi Laert!