JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Masakër në Malin e “Tomorrit”, firma me licencë të pezulluar nxirrte pllaka dekorative
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 04/08/2020 9:58

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mali i Tomorrit prej vitesh është kthyer në një vend ku fjala masakër natyrore është pak të thuhet. Firma të ndryshme private shfrytëzojnë malin për të nxjerrë pllaka dekorative.

Mirëpo së fundmi policia ka arrestuar dy persona.

Njoftimi:

Policia e Beratit vijon kontrollin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit.

Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën, kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës.

Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

•D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”;

•S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti;

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit.

Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.

Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ‘’Fshehja e të ardhurave’’ dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.