JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Pashai” Laert Duraj i jep pa garë 95 milionë lekë Ardit Metalisë të “4-AM”, për ndryshim ndriçimi dhe rikonstruksion zyrash
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01/08/2020 22:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ja ku na doli përsëri ai, Laert Duraj. Nëse vetëm pak ditë më parë u shfaqën fotot e tij “si pasha” në një resort në jug të vendit, tashmë fjalën e ka tenderi i rradhës, që me sa duket bashkë me tenderat e tjerë shërbejnë që Laerti dhe shokët e tij të pushojnë në hotele luksoze me dhoma që kushtojnë deri në rreth 400 euro nata.

Duket se Laerti është mërzitur me ndriçimin tip fluoreshent në zyrat e tij dhe ka vendosur që të harxhojë gati 95 milionë lekë të vjetra me TVSH për ta zëvendësuar në ndriçim tip LED. Është që është, i ka futur dhe një rikonstruksion zyrave në Tiranë e Durrës.

E bukura është se Laerti ka vendosur që tenderin ta bëjë pa garë fare, pra me negocim dhe pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Pra si duket “pazaret” janë ndarë që në fillim dhe dihet se kush do të fitonte, aq sa s’kishte nevojë të bëhej as gara, të paktën sa për sy e faqe.

Kështu objekti i prokurimit është: “Rikonstruksion i zyrave postare të filialeve Tiranë, Durrës, Qendra Tranzite, Ndryshime ndarjesh për shkak të ndryshimit të strukturës dhe Ndryshimi i ndriçimit nga floureshent në led (322 copë) në Godinën e Drejtorisë së Përgjithshme”. Fondi limit ka qenë 7,857,853.31 Lekë të reja pa TVSH. Duke qenë se procedura është zhivulluar me negocim, firma fituese ka ofruar një vlerë të barabartë me 100% të fondit limit, pra 7,857,853.31 Lekë të reja pa TVSH ose rreth 95 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Le të ndalemi të fituesi. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë “ILIRIADA” SH.P.K. me administrator Ermal Tahiraj dhe pronarë Eduart Tahiraj dhe Arjan Latifi dhe “4 A-M” SH.P.K. me administrator dhe pronar “me letra” Ardit Metaliaj. Ky i fundit njihet si i njohur i afërt i Bashkim Ulaj-t dhe është me origjinë nga Tropoja. Ka zëra të paverifikuara se pas kësaj kompania fshihet në fakt vetë oligarku Bashkim Ulaj. Siç e kemi përmendur disa herë, kompania “4 A-M” SH.P.K. është njëra prej shoqërive më të preferuara të Rilindjes, pasi vetëm në 5 vitet e fundit ka marrë rreth 40 milionë euro tendera.