Vazhdojnë skandalet e Erion Veliaj-t. Tashmë ai nuk ka humbur kohë dhe ka shpërndarë nga torta e parave publike rreth 6 milionë euro në xhepat e ish-gardistit të 21 janarit, Agron Malaj. Ky zotëri përveçse ka qenë komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit ku u vranë 4 protestues, është gjithashtu edhe kryetar i Bashkisë së Matit.
Erion Veliaj nëpërmjet Ujësjellës Kanalizime Tiranë SH.A. e njohur ndryshe si UKT, i ka dhënë nëpërmjet një tenderi të dyshimtë, rreth 6 milionë euro me TVSH firmës “Global Security“. Tenderi është publikuar ditën e sotme. Administrator dhe ortak i vetëm i kësaj firme zyrtarisht është Fatos Malaj, i cili është edhe vëllai i kryetarit të Bashkisë Mat.
Duke hulumtuar në të dhënat publike, rezulton se Agron Malaj ka qenë aksioner dhe pronar i kompanisë “Global Security“ deri në nëntor të vitit 2019, kohë në të cilën i ka shitur të gjitha aksionet e tij tek i vëllai. Me tenderin me objekt “Ruajtja dhe Siguria Fizike me Roje Private dhe Shoqërimi i Vlerave Monetare për UKT sh.a”, Erion Veliaj i ka bërë këtë qokë të majme jo vetëm kryetarit aktual të një bashkie tjetër por edhe njërit prej gardistëve të 21 janarit, zgjedhja e të cilit si kryetar bashkie bëri bujë dhe shkaktoi indinjatë tek qytetarët.
Tenderi duket i dyshimtë pasi nga 7 operatorë ekonomikë pjesëmarrës, dy kanë ofruar vlerë zero, ndërsa 4 të tjerë kanë ofruar vlera thuajse identike por që janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni. Çuditërisht asnjëra nga 6 kompanitë humbëse nuk ka bërë ankesë.
Por prisni se ka akoma. Tenderin në fjalë, e ka fituar bashkimi i operatorëve “Global Security“& Eurogjici Security”& “Breçani – R.O.S.P”&”PC Security“. Pra përveç Agron Malaj-t, një thelë do marrë edhe kompania e Safet Gjicit “Eurogjici Security”, aktualisht kryetar i Bashkisë Kukës.
Duket se Erion Veliaj ka shërbyer si një "spaçator" i parave publike në xhepat e dy “kolegëve” në dy bashki të tjera. Është e pabesueshme se si një kryetar bashkie i një qyteti të mund t’i japë tendera dy kryetarëve të tjerë të dy bashkive të tjera në një vlerë kaq të lartë, pa asnjë lloj problemi. Në këto kushte, pyetja që shtrohet është: A ka ndonjë organ hetues në këtë vend?