JOQ Albania
Home

Skandali/ Bashkia Kavajë i jep 6,4 milionë euro tender të arrestuarit për mashtrim me TVSH
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14/05/2020 23:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pikërisht në ditën kur kulmi i vëmendjes është në prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, dikush pa rënë në sy sapo futi në xhep 6.4 milionë euro. Epo, gjithçka mund të ndodhë në këtë vend. Asgjë nuk është më çudi.

Këtë e përforcon edhe fakti se ditën e sotme është publikuar një tender me vlerë 6.4 milionë euro që Bashkia e Kavajës do t’i japë kompanisë G.P.G. COMPANY për rikonstruksionin e rrjetit shpërndarës për furnizimin me ujë të qytetit Kavajë dhe ndërtimin e një depo uji të re, faza e dytë.

Tenderi ka numër reference REF-51835-02-27-2020. Bëhet fjalë për një vlerë prej 789,941,722 lekësh të reja me TVSH. Këtë shumë marramendase nuk do ta marrë një kompani dosido por kompania e dikujt që është arrestuar për skema mashtrimi me TVSH-në.

Bëhet fjalë për Paqsor Buzin i cili në shtator të vitit të kaluar u arrestua bashkë me disa biznesmenë të tjerë për evazion fiskal dhe pjesëmarrës në një skemë mashtruese me tatimin e vlerës së shtuar, i njohur ndryshe si TVSH. Ai bashkë me biznesmenët e tjerë të arrestuar, u akuzuan se prodhonin fatura fiktive shit-blerjesh me qëllim përfitimin e TVSH-së. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, vlera e faturave fiktive është 182.6 milionë lekë me një dëm prej 25.7 milionësh si rimbursim TVSH-je për buxhetin e shtetit.

Por jo vetëm kaq, Paqsor Buzi është përfituesi më i madh i tenderave të “Rilindjes Urbane”. Në vetëm 5 vitet e fundit, kompania e tij ka marrë plot 64 milionë euro! Nuk arrihet të kuptohet se si një person i tillë i arrestuar për mashtrim me shtetin, të marrë po nga shteti një tender të ri prej 6,4 milionë euro. Rilindje plako!