Atalanta e Berat Gjimshitit ka marrë një fitore spektakolare mbrëmjen e sotme ndaj Torinos, duke i shpartalluar keqazi këta të fundit.
Ndeshja e luajtur në Torino, e vlefshme për javën e 21 të Serie A, përfundoi me fitoren e thellë të Atalantës me rezultatin 7-0.
Seria e golave nga ekipi i drejtuar nga Gasperini e nisi Josip Ilicic, i cili shënoi në minutën 17-të.
Gonsens dyfishoi shifrat 11 minuta më pas, ndërsa Zapata me 11-metërsh vulosi rezultatin e pjesës së parë 3-0.
Në harkun kohor të dy minutave, Ilicic shënoi edhe dy gola të tjerë, duke realizuar tripletën.
Kur rezultati ishte 5-0, Armando Izzo u ndëshkua me të kuqe, duke lënë vendasit me 10 lojtarë.
Atalanta nuk u mjaftua me kaq, por shënoi edhe dy gola të tjerë, të cilët u realizuan nga Luis Muriel, në minutën e 86-të dhe 88.
Pas kësaj fitoreje madhështore në transfertë, Atalanta pozicionohet në vendin e pestë në renditje me 38 pikë, ndërsa Torino zbret në vendin e dhjetë me 27 pikë.