Milani ka bërë dje një tjetër goditje në merkato, teksa ka afruar në ekip një mbrojtës me eksperiencë si Simon Kjaer.
Danezi është afrimi i dytë i Milanit në këtë merkato, pas atij të Zlatan Ibrahimoviç para disa ditësh.
Të dy këta lojtarë janë marrë nga drejtuesit e Milanit, për shkak të eksperiencës së madhe që kanë dhe do të mundohen që së bashku t’i ngrenë kuqezinjtë lart në renditje.
Megjithatë, Zlatan dhe Kjaer nuk kanë kujtime të bukura me njëri-tjetrin.
Gjatë kohës kur Ibra ishte pjesë e Manchester United, Kjaer luante në turqi me Fenerbahcen dhe janë përballur bashkë në Ligën e Europës.
Pikërisht gjatë zhvillimit të ndeshjes, ka pasur edhe një zënkë mes të dyve, me suedezin që e kap mbrojtësin për fyti.
Tashmë tre vite nga ajo skenë, fati do që këta dy lojtarë të jenë në të njëjtin ekip, dhe me të njëjtin objektiv.