Anëtarët shqiptarë të Këshillit Gjyqësor distancohen nga deklarata e kryetarit Kire Zdravev se zbatimi i shqipes në gjyqësor zvarrit procedurat. Sipas tyre, Zdravev ka dhënë mendim personal i cili në nuk ka bazë në aspektin juridik. Nënkryetari i Këshillit, Milazim Mustafa thotë për AlsatM se proceset rrezikohen nga mos zbatimi i shqipes.
"Është një deklaratë personale e cila nuk mban as në aspektin juridik pasi kur një çështje ngritët në nivel të ligjit ajo është e obligueshme për të gjithë qytetarët. Nëse një dispozitë e ngritur në kuadër të ligjit i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare nuk respektohet, atëherë ka pasoja. Ligji për përdorimin e gjuhëve garanton zbatimin e shqipes në procedura gjyqësore në qoftë se edhe vetëm një anëtarë në atë procedurë është shqiptar, qoftë ai proces-verbalist, dëshmitar ose ekspert. Mos respektimi i këtyre dispozitave është shkelje dhe rrezikon të gjithë procedurën", deklaroi Milazim Mustafa, nënkryetar i Këshillit Gjyqësor.