Një aksident i rëndë ndodhi dy ditë më parë në Durrës, ku një 52-vjeçar përplasi për vdekje me makinë një 36-vjeçar.
Ai u largua menjëherë nga vendngjarja, mirëpo dy ditë pas ngjarjes së rëndë, autori ka vendosur të vetëdorëzohet në polici.
52-vjeçari me inicialet S.B., ishte duke udhëtuar me makinën tip “Renault Megane” kur në lagjen 15 përplasi shtetasin me biçikletë E.H., 36 vjeç i cili ndërroi jetë.
Mbi të rëndojnë dy veprat penale: "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".
Njoftimi i policisë:
Nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë i mundur arrestimi i shtetasit: S.B.,52 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se më datë 06.12.2019, në orën 16:45, në lagjen Nr 15, Spitallë, duke drejtuar mjetin tip "Renault Megane",ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin E.H., 36 vjeç, dhe u largua nga vendi i aksidentit. Falë veprimeve të shpjeta të kryera nga grupi hetimor u bë i mundur identifikimi i mjetit. Drejtuesi i mjetit, shtetasi S.B, paraditen e sotme u vetëdorëzua në Polici. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".