JOQ Albania
Home

Nis “lufta” e Qeverisë së re me të vjetrën, po ndryshohet lokacioni i stadiumit të Kosovës
Shkruar nga: E Jashari | Publikuar më: 20/11/2019 16:22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ende pa u krijuar Qeveria e re, partitë që po bëjnë bisedime rreth koalicionit, kanë nisur “luftën” me projektet e Qeverisë së kaluar.

Në këtë “luftë” u fut edhe projekti për stadiumin e përfaqësueses së Kosovës, i cili u mendua të ndërtohet në hyrje të Drenasit.

Mirëpo, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, hapi mbrëmë këtë temë, duke thënë se Qeveria e re do ta ndërtojë stadiumin në një fshat të Prishtinës.

“Gjatë bisedave kemi vendosur që stadiumi i kombëtares së Kosovës të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas”, ka thënë Abdixhiku mbrëmë.

E pas këtyre fjalëve, ka ardhur reagimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila udhëhiqej nga PDK-ja. Ata thonë se për këtë projekt janë harxhuar mbi 1 milion euro.

“Si MKRS vlerësojmë se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit, do të komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë, janë lajme dëshpëruese për qytetarët e Republikës së Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar. MKRS–ja ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që të konkretizohet projekti në fjalë. Kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për dizajnimin e projektit të Stadiumit Kombëtar dhe ne tashmë kemi prezantuar projektin ideor të tij. Ky projekt ka kushtuar mbi 1 milion euro”, thonë nga Ministria.

Ndryshe, stadiumi ishte paraparë të ndërtohet për dy vitet e ardhshme, por ky projekt nuk nisi, ani pse në mënyrë vizuale u shpalos para fushatës së fundit.