JOQ Albania
Home

Pse po lindin kaq shumë fëmijë pa duar?
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20/09/2019 11:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një problematikë tepër e madhe është bërë shqetësuese kohët e fundit në shtetin gjerman. Nisi si një rastësi por frekuenca e përsëritjes ka shqetësuar mjaft prindër. Bëhet fjalë për shtimin e numrit të foshnjeve që po lindin pa duar.

Shqetësimin e ka ngritur gazeta “Bild”, pas raportimit të shumë prindërve. Duket ndoshta si një rastësi, por a është me të vërtetë kështu? Cilët mund të jenë faktorët që ndikojnë në këtë çrregullim të foshnjeve?

Mos vallë konsumi i medikamenteve nga ana e nënës gjatë shtatzënisë, duhanpirja, konsumi i alkoolit apo edhe fertilizimet artificiale?

Kur media gjermane po investigonte për rastet, nga Franca u mësua se lindja e fëmijëve pa duar ose krahë ishte kthyer në problem edhe aty në disa zona rurale. Prej vitesh po hetohej për disa raste misterioze. Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn kishte deklaruar se mund të jetë një faktor ambiental. “Ndoshta lidhet me atë që kanë ngrënë, pirë apo nga ajri që kanë thithur”, tha ajo, sipas “Mapo”.

Një forum me ekspertë të mbledhur nga gazeta gjermane BILD hedh dyshimet se kjo situatë mund të lidhet me mjekimet që janë marrë gjatë shtatzënisë, më së shumti ilaçe që trajtojnë tensionin. Por nuk përjashtohet mundësia që teknikat speciale të fertilizimit artificial të kenë lidhje.

Dr. Awi Wiesel nuk përjashton as mundësinë që pesticidet apo antibiotikët të jenë ‘fajtorët’.

E gjitha kjo të kujton atë që njihet si skandali i konterganit në vitet 1960. Bëhet fjalë për një ilaç, të quajtur talomid, që në Gjermaninë Perëndimore shitej me emrin kontergan. Kjo pilulë gjumi përdorej edhe nga gratë shtatzëna.

Ilaçi thuhej se kuronte ankthin, pagjumësinë, tensionin e gastritin. Më vonë u përdor edhe tek gratë shtatzëna me ‘sëmundjen e mëngjesit’ dhe të vjella. Pak pasi ilaçi nisi të shitej, më shumë se 7 mijë bebe lindën me deformim të gjymtyrëve në Gjermani. Vetëm 40 përqind mbijetuan. Skandali në fjalë shtoi kontrollet dhe forcoi rregullat për prodhimin dhe përdorimin e ilaçeve.