JOQ Albania
Home

Vodafone, sponsor i skuadrës së Porsche-s në “Formula E”
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06/09/2019 17:42

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vodafone do të jetë sponsori zyrtar i Porsche Motorsport në kampionatin “Formula E”, për sezonin 2019-2020. “Formula E”, themeluar në vitin 2014, është e para garë me makina tërësisht elektrike, me një pilot, me një shpejtësi mbi 200 km/orë. Pistat e garave kalojnë në 12 qytetet më të mëdha në katër kontinente. Makinat dhe uniformat e pilotëve do të mbajnë logon e Vodafone, kur skuadra të debutojë në nëntor të këtij viti. Vodafone do të asistojë gjithashtu me mjete komunikimi dhe asistencë teknike.

“Vodafone dhe ‘Formula E’ kanë një qëllim të përbashkët. Ata i drejtohen një komuniteti të gjerë, që sa vjen e rritet, atij të njerëzve që e duan planetin. E garat me makina elektrike, që nuk çlirojnë gas, japin kontributin e tyre për një mjedis më të pastër e të shëndetshëm. Së bashku me Porsche-n do të luftojmë që të tejkalojmë çdo kufi në teknologjinë e makinave”, thotë Ahmed Essam, Drejtor Komercial i Vodafone. Nga ana tjetër, Fritz Enzinger, zëvendës president i “Porsche Motorsport”, shtoi se: “Vodafone është një partner i hershëm i “Porsche Motorsport” dhe po na ndihmon të zhvillojmë si teknologjinë e makinave të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe teknologjinë e makinave të garës. Vodafone beson në misionin e “Formula E” për të përqafuar inovacionin, ndaj jemi të lumtur që e kemi në krahë teksa Porsche hyn në një garë krejtësisht të re”.

Porsche, si prodhues makinash, ka qenë klienti i parë që ka punuar me Vodafone për të shtuar funksione të reja te modelet e fundit të makinave, përfshirë: hapjen e mbylljen e makinës përmes një aplikacioni në telefon, gjurmimin e vendndodhjes së makinës si masë kundër vjedhjes, dhe monitorimin e funksioneve së saj që nga karburanti te presioni i vajit dhe gomave.

Përveçse për “Formula E”, në të ardhmen e afërt do të kemi një tjetër bashkëpunim midis dy kompanive për eSports.

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/