Peshëngritja shqiptare i është rikthyer një momenti të mirë pasi sportistët tanë po bëjnë paraqitje dinjitozze në Europianin që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë.
Pas Briken Caljes, kësaj here është vlonjati Krenar Shoraj i cili ia ka dalë të sigurojë një vend në podium në peshën deri në 96 kilogramë.
Arma e tij më e fortë dihej që ishte shtytja dhe aty ai tregoi potencialin që ka duke realizuar me sukses peshën 195 kilogramë.
Për fatin e keq, ai dështoi në dy provat e radhës, 200 dhe 201 kilogramë, duke mos arritur të sigurojë më shumë se vendin e tretë në këtë stil.
Por që gjithsesi i mjaftoi për një medalje në këtë aktivitet, që kishte qenë objektiv kryesor i shtangistit të talentuar.
Ai e mbylli dygarëshin në vendin e 6 në renditje, me 350 kilogramë në total. Një paraqitje mjaft e mirë për djaloshin shqiptar i cili tregon se ka të ardhme në këtë sport.