Milani është sërish në telashe me UEFA-n.
Pas rezultateve jo të mira në javët e fundit, të cilat i kanë lëkundur pozitat e Milan për të siguruar kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm, vjen një tjetër lajm i hidhur.
Sipas mediave italiane, UEFA do të hapë një investigim të ri për shkeljet e Fair Play financiar.
Kësaj here kuq e zinjtë janë denoncuar nga një rival direkt në luftën për Champions, Roma.
Sipas Il Giornale, presidenti i Romës, James Palotta ka denoncuar Milanin në UEFA , me arsyetimin se nuk po i trajton njëlloj klubet në kampionatin italian të futbollit.
Palotta e mbështet arsyetimin e tij tek dy blerjet e fundit të Milan, Piatek dhe Paqueta, duke thënë se kuq e zinjve nuk u lejohej të shpenzonin më shumë se 70 milion euro në merkaton e janarit.