Njeriu i parë i NATO-s, Sekretari Jens Stoltenberg, ua ka tërhequr vërejtjen presidentit serb Aleksandar Vucic, si dhe kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, për situatën e tensionuar.
Sekretari i Përgjithshëm ka thënë se Prishtina e Beogradi duhet të shmangin tensionet dhe deklaratat provokative, dhe të fokusohen në dialog, raporton JOQ Kosova.
“Theksova se që të dyja Prishtina dhe Beogradi duhet të qetësohen dhe t'u shmangen deklaratave apo veprimeve provokative”, ka thënë Stoltenberg.
Ndërkaq, shefi i NATO-s ka thënë se me kryeministrin Ramush Haradinaj ka biseduar lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovë, për të cilën ai ka thënë se nuk është koha e duhur.
“Me zotëri Haradinaj, bisedova për një plan për të shkuar tutje me tranformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri. Po ashtu përmenda se një lëvizje e tillë nuk mund të ndodhë në këtë kohë, dhe është kundër këshillave të NATO's, dhe mund të ketë një ndikim jo të mirë në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka thënë Stoltenberg në njoftimin për media.
Edhe Haradinaj e ka konfirmuar bisedën me Stoltenberg, mirëpo ai ka përsëritur se e ka njoftuar që ushtria do të bëhet me 14 dhjetor.
“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka thënë Haradinaj.
Ky lloj i përplasjes erdhi pasi sekretari i NATO-s dje kërcënoi Kosovën se, nëse krijon ushtrinë, do të ketë pasoja./JOQ Kosova