JOQ Albania
Home

Nostalgji/ Luani i famshëm i Ujit të Ftohtë në Vlorë
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07/11/2018 9:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Eduard NONAJ

E kujtoj me nostalgji që këtu e 35 vjet më parë, në moshën 5 vjeçare kur shkova për herë të parë të pija ujë tek ky burim, që ishte si pikë referimi për gjithë zonën e Ujit të Ftohtë…

Kisha dëgjuar nga familjarët që në Vlorë është një luan që nxjerr ujë nga goja dhe unë me imagjinatën time fëminore thoja në vetvete, po si venë ata "kalamaqtë” të pijnë ujë tek Luani? Nuk kanë frikë se ai i shqyen dhe i ha, siç gjuante e hante në savanë zebrat apo antilopat që shikoja nëpër dokumentaret me kafshë të egra në televizor…

Me atë ngurrimin dhe ndrojtjen fëminore ju afrova, disi me i qete,duke pare se përreth tij kishte shume ”xhaxh-a te mëdhenj” dhe Luani nuk i hante dot kalamaqtë, ai trupmadh dhe gjigant si më dukej në atë moshë, i vendosur mbi një piedestal të gurtë dhe uji i ftohtë që buronte nga goja e tij…Pasi që nuk e arrija dot tek koka e tij se ishte tepër lartë për mua në atë moshë, filloja ngadalë-ngadalë të përkëdhelja dhe ledhatoja nga këmbët nga bishti, për ta marrë me të mira, që ti tregoja se unë unë isha çun i mirë dhe e kisha shumë xhan, nuk isha djalë i keq që të më hante…

Më pas me ngadalë hapa dy pëllëmbët e duarve te mija ti mbushja me ujin e ftohtë akull që rridhte nga goja e tij, e shijova atë ujë të mrekullueshëm që të priste gjuhën si ”brisk”. Kurrë në jetën time nuk kisha shijuar ujë kaq të ftohtë. Ishte dhe periudhë vere, sezoni i plazhit, më pas, pasi piva ujë dhe u bëra ”shok” me luanin, më ngritën lart dhe më hipën mbi kurrizin e tij dhe unë i lumtur, i gëzuar, hipa mbi luan, hipa mbi luan, por për fat të keq nuk kisha as aparat fotografik as celular me kamer, në ato vite që të fiksoja atë çast të paharruar për mua, ngeli gjithsesi në kujtesën time shpirtërore dhe ruhet i gjallë emocioni dhe sot e kësaj dite…

Sot duke bërë xhiron e përditshme buze detit u ndala atje. Mu rikthye sërish ai kujtim fëminor i 35 vjetëve më parë dhe e nxora një foto luanin e famshëm, si për t’ja kthyer borxhin e vjetër…Ka parë ky luan me qindra mijëra, mbase dhe miliona njerëz shqiptarë dhe të huaj përgjatë gjithë këto dekadave. Ka shuar me bujari etjen e të gjithë atyre njerëzve që e kanë vizituar nga afër…

Sinqerisht asnjëherë nuk e kam kuptuar vendosjen kafshës së luanit si mjet burimor. Çfarë simbolike përcillte kjo në një qytet bregdetar siç është Vlora, ku shumë herë më mirë do të përshtatej Delfini, një gjitar i mrekullushëm detar që ka lidhje të drejtperdrejtë me ujin dhe është shumë i dashur për të gjithë fëmijët…

Gjithashtu dhe në vendlindjen time të shtrenjtë, në Berat, ekziston dhe atje burimi i kokës së luanit në lagjen e famshme Mangalem, luani një kafshë e kontinentit afrikan që asnjë lidhje nuk ka me Shqipërinë, vendosej shpesh nëpër arkitektura urbane mbase për faktin se konsiderohet dhe "mbreti i kafshëve” dhe me këtë është dashur të jepet mesazhi i forcës dhe sundimit mbi të tjerët.

Gjithsesi vitet kanë kaluar dhe do kalojnë dhe ky luan ashtu i heshtur e pa fjalë, do jetë një dëshmi e gjallë e qytetit.

Shkrimi është i autorit Eduart Nonaj. JOQ.al konstaton disa të pavërteta, nisur nga fakti që "Luani" në Vlorë, nuk ka bërë ende 20 vite që është vendosur, jo më 35. Kujtojmë se në vendin ku ndodhet luani sot, ka ekzistuar një rrap shekullor që nxirrte ujë. Rrapi u tha, por burimi vijonte të nxirrte ujë, e si pasojë, bashkia vendosi të çojë një luan në vendin e rrapit.