Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara shpall fituese pa konkurrencë firmën e dënuar për vjedhje tenderash

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.03.2022, 22:33

Shpesh herë ju kemi sjellë në vëmendje kompaninë Sinani Trading. Kjo kompani dikur quhej “M. B. KURTI" SHPK. Shemsi Sinani, ish-administratori i kësaj kompanie ka qenë i akuzuar dhe më pas është dënuar nga gjykata për përfitime të tenderave fiktivë si dhe abuzimeve në procedurat e prokurimit që kishin lidhje me blerjen e ushqimit për të burgosurit. Menjëherë pas problemeve me drejtësinë, Shemsi Sinani ia ndryshon emrin kompanisë në Sinani Trading dhe e kalon në pronësi të djalit të tij Ledion Sinani.

Është e qartë se një manovër e tillë u bë vetëm që kompania të kishte mundësi të vazhdonte me përfitimiet e tenderave të tjerë në të ardhmen. Dhe në fakt historia e tregoi se kjo gjë funksionoi pasi disa herë ju kemi paraqitur tenderat e majmë në nivele qindra milionësh që kjo kompani ka vijuar të marrë dhe pas ndryshimit të emrit dhe pronësisë. Rasti më i fundit është ai i një tenderi të përfituar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-19754-02-16-2022 dhe me objekt “Lotin 1 Blerje bukë gruri dhe simite”. Fondi limit i këtij tenderi është 9,026,273 lekë të reja me TVSH ose rreth 110 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por nëse shohim të dhënat e pjesëmarrësve vihet re një fakt skandaloz. Në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, pra SINANI TRADING. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një mungesë totale të konkurrencës ku kompania e vetme që merr pjesë, shpallet edhe fituese e tenderit.

Dhe pikërisht kështu ka ndodhur. Sinani Trading ka ofruar vlerën prej 8,304,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 100 milion lekë të vjetra me TVSH, dhe duke qenë e vetmja pjesëmarrëse është shpallur fituese. Kjo vlerë rezulton ndërkohë të jetë sa 92% e fondit limit. Ky rast tregon se sado të jesh i dënuar nga gjykatat, mjaftojnë disa manovra të thjeshta dhe mund të vazhdosh përsëri të marrësh tendera si më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit