Shoferi i autobusit të aksidentuar në Kroaci nuk do të mund ta vuajë dënimin në Kosovë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 12.03.2022, 21:43

Ndonëse familjarët e viktimave kundërshtuan dënimin prej 6 vitesh burg për shoferin e autobusit nga Kosova, që shkaktoi aksidentin në Kroaci, ku humbën jetën 10 udhëtarë, kjo nuk do të ndikojë në vendimin gjykatës. Për më tepër shoferi i dënuar do ta vuajë dënimin në burgjet e shtetit kroat.

53-vjeçari nga Kosova u dënua me gjashtë vjet burgim nga Gjykata Komunale në Sllavonski Brod të Kroacisë.

Sipas avokatit Arianit Koci deklaratat e familjarëve nuk kanë ndikim në lartësinë e dënimit.

“Deklaratat e familjarëve nuk kanë ndikimin fare në lartësinë e dënimit. Madje, nëse informata që e lexova është e saktë, i dënuari në shkallë të parë, nuk do ta apelojë aktgjykimin. Prandaj, nëse edhe prokuroria nuk e apelon këtë vendim, do të mbetet dënimi i shqiptuar”, u shpreh Koci në një prononcim për telegrafin.

Koci tha se vendimi është marrë në mënyrë optimale, duke qenë se i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“Vendimi është marrë në kohë optimale, duke e pasur parasysh faktin, se sipas informatave ne media i akuzuari e paska pranuar fajësinë. Për më tepër, gjykatat ne Kroaci, si shtet i cili është në BE, janë më efikase në trajtimin e rasteve gjyqësore”, u shpreh Koci.

Shoferi dënimin do ta vuaj në shtetin kroat, të paktën për aq kohë sa Kosova e Kroacia nuk kanë marrëveshje për transferimin e të dënuarve.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se aktualisht dy shtetet nuk kanë marrëveshje për transferim të të dënuarve.

“Rasti në fjalë ka të bëjë me institutin juridik të transferimit të personave të dënuar nga shtetet tjera në Republikën e Kosovës. Ju njoftojmë se aktualisht, në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, nuk ka marrëveshje për transferimin e personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë .

25 korriku i vitit të kaluar ishte shumë i rëndë për Kosovën.

Në aksidentin që rezultoi fatal për 10 udhëtarë të linjës Frankfurt-Prishtinë tashmë institucionet e drejtësisë në Kroaci kanë dhënë vendimin.

Shoferi i autobusin tashmë e ka pranuar fajësinë dhe i njëjti nga drejtësia kroate është dënuar me 6 vite burgim.

Mediat kroate thonë se ai nuk do ta apelojë këtë vendim.

Sabri Rrustemi gjatë këtij aksidenti ka humbur vëllain, por ai nuk është i pajtimit që të dënohet shoferi i autobusit.

“Unë jam absolutisht kundër dënimit të shoferit. Ma merr mendja që asnjë njeri në botë nuk do kishte dashur të ndodh ajo që ka ndodhur. Ai nuk e ka bërë atë vepër me qëllim”, shprehet Rrustemi.

Sipas tij as gruaja e fëmijët e të ndjerit që ishin në autobusin e aksidentuar nuk e konsiderojnë fajtorë shoferin për rastin tragjik.

Në aksidentin e rëndë të ndodhur në Kroaci, pos 10 viktimave edhe rreth 45 të tjerë kishin mbetur të lënduar.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit