Viagra mund të përdoret së shpejti tek qentë, kuron sëmundjen e rrallë të të ngrënit

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 23.02.2022, 01:18

Studiuesit kanë zbuluar së fundmi se Viagra, ilaçi që përdoret nga meshkujt që kanë probleme me ereksionin, mund t'u jepet qenve që vuajnë nga një çrregullim i rrallë i të ngrënit që më pas mund të shkaktojë pneumoni. Sildenafil, versioni gjenerik i Viagrës është testuar nga një ekip veterinerësh në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit në Pullman për të trajtuar një çrregullim të quajtur megaezofag.

Ky çrregullim shkakton zgjerim të ezofagut dhe humbje të aftësisë së tij për të kaluar ushqimin në stomak, gjë që bën që ushqimi të mbetet në pjesën e poshtme të ezofagut dhe nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë pneumoni. I dhënë në formë të lëngshme, ilaçi relakson muskulaturën e lëmuar të ezofagut të poshtëm, në mënyrë që të hapet dhe të lërë ushqimin të kalojë në stomak, duke ofruar lehtësim për qenin.

Studiuesit morën dhjetë qen me sëmundjen megaezofag, të cilëve iu dha Viagra për dy javë, pastaj një javë u lanë pa asnjë ilaç. Përveç disa acarimeve të rralla gastrointestinale, studiuesit nuk hasën efekte anësore për qentë pasi morën dozën e Viagrës të përdorur në studim. Ndërsa sildenafil është më i njohur për trajtimin e mosfunksionimit erektil te njerëzit, ilaçi përdoret gjithashtu për të trajtuar presionin e lartë të gjakut pulmonar tek qentë dhe njerëzit.

Burimi: Daily Mail | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit