Këshilli i Lartë i Prokurorisë “qëras” me 70 milionë Dulakët në tenderin pa konkurrencë me vlerë sa 99.4% e fondit limit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.02.2022, 22:09

Çudirat vazhdojnë të dashur miq! Janë aq të shumta sa nuk bëhet fjalë për një në ditë por për disa brenda ditës. Jemi mësuar që tenderat e dyshimtë të jepen kryesisht nga institucionet shtetërore apo bashkitë. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një rast apo “çudi” akoma më të madhe. Themi kështu pasi institucioni i përfshirë është as më shumë e as më pak por vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë i drejtuar nga Gent Ibrahimi.

Ky institucion i cili mendohet se duhet të luftojë shkeljet ligjore, në fakt rezulton i implikuar në një tender të dyshimtë. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-18190-01-31-2022 dhe me objekt “Blerje automjete, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë”. Nëse studiojmë dokumentacionin e këtij tenderi të disponuar nga Joq Albania vihen re disa fakte që ngjallin dyshime. Së pari shikohet se kemi të bëjmë me një mungesë totale të konkurrencës.

Në fakt në këtë procedurë prokurimi shihet se ka marrë pjesë vetëm një kompani. Bëhet fjalë për firmën ALBANIA MOTOR COMPANY e cila rezulton të jetë në pronëi të vëllezërve Dulaku. Kjo kompani ka hyrë në një garë ku praktikisht ka garuar me veten e saj, pasi siç thamë ka qenë pjesëmarrësja e vetme. Kjo firmë ka ofruar vlerën prej 5,797,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 70 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Dyshimet janë të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar për dy arsye. Jo vetëm sepse kemi të bëjmë me një mungesë totale të konkurrencës por edhe për një arsye tjetër. Vihet re se vlera fituese është thuajse 100% identike me fondin limit të këtij tenderi. Për të qenë më të saktë, vlera e ofruar nga vëllezërit Dulaku rezulton të jetë sa 99.4% e fondit limit të tenderit në fjalë. Pyetja që shtohet është: Nëse në tendera të tillë të dyshimtë përfshihet vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, çfarë mundtë thuhet për institucionet e tjera?

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit