Manastirliu i jep 1.2 miliardë AGIKONS të Gentian Sulës, megjithëse ofroi qindra milionë më shumë se të tjerët  

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.02.2022, 22:24

Tenderat në fushën e shëndetësisë janë ato të cilët i japin mundësi oligarkëve të ngjyejnë mjaftueshëm mirë “kafshatën” e tyre. Por problemi qëndron në faktin se kafshata në fjalë ngjyhet me paratë publike të shqiptarëve, të cilët presin në fakt që të shpenzohen për të mirën e tyre. Natyrisht që kjo nuk ndodh në një vend si Shqipëria. Themi kështu pasi siç ju kemi treguar çdo ditë, paratë e shqiptarëve përfundojnë kudo tjetër përveçse aty ku ka nevojë vendi.

Tenderi që do ju paraqesim sot do ju tregojë se si Ogerta Manastirliu i ka “dhuruar” kompanisë AGIKONS të Gentian Sulës gati 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH, ndonëse konkurruesit e tjerë kanë ofruar deri disa qindra milionë lekë më pak se Sula. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-01562-07-23-2021 dhe me objekt “Punime për pjesën teknologjike të fazës II të Rikonstruksionit të Spitalit Kukës”. Fondi limit i tij është 110,994,433 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Duke studiuar dokumentacionin e këtijj tenderi shikohet se kanë marrë pjesë 4 pjesëmarrës. Fituese është shpallur firma AGI KONS në pronësi “de facto” të Gentian Sulës. Kjo firmë ka ofruar vlerën prej 105,944,488 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Por interesant është fakti se 2 kompani të tjera kanë ofruar vlera bindshëm më të ulëta, e megjithatë nuk janë marrë në konsideratë.

Rasti më flagrant është kur diferenca e firmës me vlerën më të ulët ndaj firmës AGI KONS të shpallur fituese, është rreth 140 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në rastin më të mirë këto para janë një humbje e pastër për shtetin. E megjithatë Ogerta Manastirliu ka menduar se më e rëndësishme është të fitojë kompania në fjalë sesa oferta më e mirë. Natyrisht SPAK nuk duket askund.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit