Abuzimet e Manastirliut/ 92 milionë lekë pa garë firmës GEN-ALB-FARMA me ofertë sa 97% e fondit limit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.02.2022, 22:25

Ditë për ditë po ju paraqesim tendera njëri pas tjetrit të cilët në rastin më të mirë mund të cilësohen si të dyshimtë e në rastin më të keq abuzim e vjedhje e hapur e parave të shqiptarëve. Fusha e shëndetësisë përbën edhe një ndër “llokmat” më të mëdha të parave që futen në xhep nga këto tendera. Njëri prej tyre është edhe ai që do t’ju paraqesim sot i cili ka lidhje me Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr.1. rezulton se ky institucion në varësi të Ogerta Manastirliut ka organizuar një tender që mban numrin e referencës REF-16624-12-28-2021 dhe ka si objekt “Blerje pajisje mjekësore”.

Fondi limit i këtij tenderi është 7,940,000 lëkë të reja pa TVSH ose rreth 95 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëpërmjet kësaj procedure prokurimi mësohet se do të blihen disa pajisje mjekësore. Por për fat të keq ky tender rezulton i dyshimtë për të paktën dy arsye kryesore. Së pari është një tender me mungesë konkurrence, pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një operator. Me pak fjalë i bie që ky konkurrent ka garuar me veten e tij dhe në fund është shpallur fitues. Por cili është garuesi? Bëhet fjalë për kompaninë GEN – ALB FARMA në pronësi të shtetasve Albano Bego dhe Marenglen Koçia.

Firma në fjalë ka marrë pjesë në këtë tender me ofertën prej 7,690,000 lekësh të reja ose rreth 92 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo kompani rezulton të ketë marrë shpesh tendera kryesisht në fushën e shëndetësisë. Por përveç mungesës së konkurrencës, del edhe një aspekt i dytë që ngjall dyshime. Ka të bëjë me faktin se vlera e ofruar nga kjo kompani që ka garuar e vetme, është thuajse e njëjtë me vlerën e fondit limit të tenderit. Më konkretisht kjo vlerë është sa 97% e fondit limit. Ky fakt i përforëcon idetë se kemi të bëjmë me një tender të dyshimtë dhe me një fitues të paracaktuar. A do bëjë ndonjë hetim SPAK?

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit