Pesë të rinj vdiqën në aksidentin tragjik në Itali/ Shoferi shqiptar: S’kisha faj, por më rëndon në ndërgjegje

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 25.01.2022, 18:30

Një aksident i rëndë ndodhi të shtunën e kaluar në Rezzato të Italisë si pasojë e të cilit humbën jetën pesë të rinj që po udhëtonin me një automjet tip "Wolkswagen". Ata u përplasën me një autobus që drejtohej nga shqiptari Vangjel Tuslluku. Ai po kthehej me një autobus nga kompania Caldana në Toscolano Maderno, pasi sapo kishte përfunduar linjën Milano-Brescia dhe po mbyllte turnin.

“Makina e djemve ishte me shpejtësi rrufe, po ecte me të paktën 150 km në orë”- tha 58-vjeçari shqiptar për mediat italiane. Ai shtoi gjithashtu se është tronditur shumë nga kjo ngjarje dhe se nuk ka mundur të vërë gjumë në sy.

Tuslluku është shprehur:

Pashë një dritë që vinte në korsinë time, në fillim mendova se ishte një motoçikletë. Por për një moment u gjeta përpara makinës dhe dëgjova një zhurmë shumë të fortë. Më goditi dhe menjëherë xhami u thye, nuk shihja më asgjë. Në atë moment hyra në korsinë e kundërt, humba kontrollin, autobusi nuk po frenonte dhe as përshpejtonte, timoni ishte i fortë. Autobusi eci vetë dhe unë vazhdova të dëgjoja zhurma të jashtëzakonshme. Isha i bindur se po goditja makina të tjera. Ndjej dhimbje, e kam të vështirë të fle dhe vazhdoj ta shoh aksidentin në mendjen time. Nuk e di kur do të kthehem në timon, por mbi të gjitha atë që do të ndiej. Unë kurrë nuk kam përjetuar një situatë të tillë. Pesë të rinj kanë vdekur. Nuk kam asnjë faj, por kam një peshë në ndërgjegjen time.

Mediat italiane raportojnë gjithashtu se pas aksidentit autobusi ndaloi në anë të rrugës, ndërsa brenda ishte një familje, e cila për fat të mirë nuk u dëmtua. Por 4 djemtë dhe vajza që u përplasën me të vdiqën menjëherë. Asnjëri prej tyre nuk kishte patentë, madje as shoferi i Wolkswagen.

Burimi: fresno24.com | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit