Milani fiton në Kupë ndaj Genoas, goli i Leaos duhet të shihet më shumë se një herë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 13.01.2022, 23:44

Milani ka fituar sot ndaj Genoas për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë. Ekipi kuqezi ka arritur të mposhtë Genoan me rezultatin 3-1 pas 120 minutave në "San Siro". Kuqezinjtë ishin në disavantazh pas 45 minutëshit të parë kur mbrojtësi Leo Ostigard realizoi në minutën e 17-të. Në pjesën e dytë vendasit barazuan shifrat me Olivier Giroud i cili realizoi një gol të bukur pas një asisti nga Theo Hernandez në minutën e 74-të. Rrjetat mbetën të paprekura për pjesën e mbetur të 90 minutëshit, duke shkuar në shtesë.

Në shtesë, Rafael Leao i dha avantazhin skuadrës në minutën e 103-të, një gol i cili ishte për vitrinë, nga mënyra e realizimit. Për të mos i lënë asgjë në dorë fatit, Alexis Saelemaekers e thelloi epërsinë në minutën e 112-të nga një tjetër asistim i Theos, duke vulosur fitoren e kuqezinjve në 3-1. Me këtë fitore Milani kualifikohet për në çerekfinale të Kupës së Italisë, aty ku do të përballet me fituesin e duelit Lazio – Udinese.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit