Beqaj “ia fut” dhe Lupenit, Rama i lë në dorë fondet e huaja

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 13.01.2022, 21:50

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili aktualisht drejton Agjencinë për menaxhimin e donacioneve të huaja, ka marrë disa detyra të rëndësishme. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, bëhet me dije se fondet e huaja që do t’i dhurohen vendit tonë dhe do të menaxhohen nga Beqaj. Se sa të sigurta do të jenë këto para në duart e një e një ish-ministri të akuzuar gjatë gjithë kohës për afera miliona euroshe, kjo ngelet një pikëpyetje e madhe.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës do të marrë edhe disa kompetenca që më para i kishte Ministria e Financave. Beqaj do të administrojë rreth 1 miliardë euro në vit.

VENDIMI:

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.590, DATË 4.9.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TË MENAXHIMIT TË NDIHMËS SË HUAJ (SIMNH)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 7 e 8, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.590, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
  2. Në shkronjën “b”, të pikës 3, fjalët “… njësisë përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëqeverisjen, në Kryeministri …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
  3. Në shkronjën “c”, të pikës 6, fjalët “… njësisë përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes, në Kryeministri …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
  4. Në shkronjën “a”, të pikës 8, fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
  5. Shkronja “b”, e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Institucionet, palë të interesuara, janë ministria përgjegjëse për financat, ministria përgjegjëse për Evropën, ministritë e linjës, Kryenegociatori për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe institucionet buxhetore të qeverisjes së përgjithshme.”.

  1. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:

“11/1. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj, për krijimin e informacionit përkatës gjeohapësinor të të dhënave shtetërore të SIMNH-së ndërvepron me Gjeoportalin Kombëtar në administrim të Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për informacionin gjeohapësinor.”.

  1. Në shkronjën “ç”, të pikës 10, fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
  2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kryeministria, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Autoriteti Shtetëror i Informacionit Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit