Vaksinimi i detyrueshëm: Tri arsye PRO dhe KUNDËR

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 06.12.2021, 02:10

Vaksinimet kundër Covid janë tashmë një kërkesë për jetën publike në shumë pjesë të botës. Nëse jeni një mjek francez, një mësues i Zelandës së Re ose një punonjës i qeverisë kanadeze, marrja e vaksinave është thelbësore për të shkuar në punë. Indonezia mund t'u mohojë përfitimet njerëzve që refuzojnë vaksinimin. Greqia po i bën ato të detyrueshme për moshat mbi 60 vjeç.

Austria është e vendosur të shkojë më tej, me një plan për të bërë të detyrueshme vaksinat për të gjithë deri në muajin shkurt. Megjithatë do të ketë përjashtime mjekësore dhe fetare, por pjesa më e madhe e popullsisë së mbetur e pavaksinuar, përballet me gjoba për mos marrjen e vaksinave. Edhe Gjermania po planifikon diçka të ngjashme.

Arsyet PRO vaksinimit të detyrueshëm

1. Vaksinat shpëtojnë jetë

Ekziston një argument shumë i thjeshtë në favor të bërjes së vaksnimave të detyrueshme. Duke u vaksinuar ju reduktoni rrezikun e sëmundjes serioze. Sëmundjet më pak të rënda nënkuptojnë më pak vdekje dhe më pak presion mbi spitalet. Historikisht, fushatat e imunizimit kanë pasur sukses të madh, duke eliminuar sëmundje si lija ose duke ulur në mënyrë drastike nivelet e vdekshmërisë tek të tjerët.

"Ne kemi shembuj vërtet të mirë që tregojnë vetëm një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore midis kërkesave, marrjen e normave shumë të larta të vaksinimit dhe mbrojtjen e jo vetëm individëve, por mbrojtjen e komuniteteve. Vaksinat funksionojnë, ato funksionojnë absolutisht, ne kemi një numër të madh provash për ta treguar këtë"- thotë Jason Schwartz, një profesor i asociuar në Historinë e Mjekësisë në Universitetin Yale.

2. Ne kemi ezauruar opsionet e tjera

Covid ka qenë me ne për disa kohë, por më pas edhe vaksinat. Të paktën në Evropë, pas muajsh të tërë vaksinimesh dhe disponueshmërie të gjerë, mbeten ende popullata të konsiderueshme të pavaksinuara. Ka një ndryshim të madh në normat e vaksinimit në të gjithë kontinentin nga perëndimi në lindje. Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se tani ishte koha për të menduar për vaksinimet e detyrueshme, megjithëse ajo theksoi se i takon qeverive përkatëse të vendosin. “Ne kemi vaksinat, vaksinat që shpëtojnë jetë, por ato nuk po përdoren kudo në mënyrë adekuate”– tha ajo.

3. Përfundon ciklin e bllokimeve

Vaksinimet e detyrueshme nuk janë forma e vetme. Shumica e qeverive kanë vendosur një seri kufizimesh, nga lejet deri te ndalimet e udhëtimit, që bartin kostot e tyre. Përveç jetëve të shpëtuara, bërja e detyrueshme e vaksinimit mund të shënojë fundin e bllokimeve.

Arsyet KUNDËR vaksinimit të detyrueshëm

1. Do të ketë rezistencë

Çfarëdo që të bëjë një qeveri, ajo do të përballet me opozitën. Kufizimet e Covid në veçanti kanë tërhequr protesta në mbarë botën dhe vaksinimet e detyrueshme janë një hap përtej. "Kur bëhet fjalë për vaksinat, njerëzit mendojnë shumë ndryshe"– thotë Vageesh Jain, një mjek i Shëndetit Publik në Institutin për Shëndetin Global në University College London. "Çdo gjë që u vendoset atyre në trupin e tyre, nuk do të mendohet në të njëjtën mënyrë, edhe pse akademikët dhe të tjerët mund të mendojnë teorikisht se është thjesht një kufizim, njerëzit kanë këtë lloj reagimi emocionues"– shtoi ai.

2. Ndoshta, ose ende jo...

Ndërsa ekziston një argument i fortë shëndetësor në favor të vaksinimeve të detyrueshme, kjo nuk është mënyra e vetme për të rritur nivelet e vaksinimit. "Ajo që është mjaft e dukshme në të kaluarën është se si politikanët pëlqejnë idenë e vaksinimit të detyrueshëm sepse duket se i jep një përgjigje të shpejtë problemit"- thotë Samantha Vandeslott, një studiuese e shkencave sociale në Grupin e Vaksinave të Oksfordit.

"Për ata që kanë frikë, që nuk kanë besim, për ata që vlerësimi i rrezikut është i ulët, për ta është e rëndësishme që ata të dëgjohen dhe shqetësimet e tyre të merren seriozisht"- Barbara Juen, një psikologe shëndetësore në Universitetin e Innsbruck, i tha transmetuesit kombëtar ORF.

3. Mund të rezultojë kundërproduktive

Disa njerëz kanë më shumë shqetësime afatgjata, si për shembull nëse një program i suksesshëm mund të krijojë mosbesim ndaj fushatave të ardhshme. "Skemat e detyrueshme gjatë një krize do të jenë kundërproduktive. Kur njerëzit kanë atë që ne e quajmë teori konspirative ose kanë keqbesim apo keqkuptime, skema të tilla vetëm sa do të forcojnë opinionet e tyre"- i tha Al-Jazeera Dr Dicky Budiman, një epidemiolog që këshillon OBSH-në për rimëkëmbjen pandemike.

Burimi: BBC | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit