Gjykata e Gjilanit dënoi dy persona për 4 pula, por e fyeu viktimën e sulmit seksual

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 05.12.2021, 23:37

Dy persona në Gjilan janë dënuar me 3 muaj burg nga Gjykata Themelore, pasi kanë pranuar se kanë blerë katër pula dhe një gjel, për të cilat kanë mundur ta dinë paraprakisht se janë të vjedhura. Por, kjo gjykatë kishte arsyetuar aktgjykimin ndaj një viktime të dhunimit seksual me gjuhë seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj A.H. dhe Q.H., me arsyetimin se në maj të vitit të kaluar në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dy të akuzuarit në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete kanë blerë, fshehë katër copë pula dhe një gjel nga të pandehurit T.A. dhe K.I., në vlerë prej 5 euro secilën pulë, të cilat të pandehurit T.A. dhe K.I, i kishin vjedhur në kotecin e të dëmtuarit P.S.

Duket se për këtë gjykatë me e rëndësishme është vjedhja e katër pulave sesa dhuna seksuale ndaj një femre, dukuri kjo që është bërë më së e shpeshtë në vendin tonë dhe në shumicën e rasteve dhunuesit amnistohen.

Në vendimin e Gjykatës së Gjilanit ishte përdorur gjuhë seksiste ndaj një viktime të sulmit seksual, raporton Demokracia.

Pa komentuar meritat e këtij rasti, hulumtimi tregon se gjuha me të cilën ishte arsyetuar ky aktgjykim, ishte gjuhë paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.

“Në pjesën përmbajtjesore Gjykata mbrojtjes së të akuzuarve ua ka falur besimin e plotë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore… Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj… Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara… Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, thuhet në këtë aktgjykim.

Me këtë mënyrë të arsyetimit, gjykata ka ardhur në përfundimin se e dëmtuara heshturazi ka pranuar që të ketë marrëdhënie seksuale.Qëndrimi në një dhomë i të akuzuarve si persona të ri me të dëmtuarën në fjalë, e cila nuk ka pasur më shumë se 19 vjeç, në një shtëpi private, duke mos refuzuar e dëmtuara që të qëndroj aty, jep me kuptu se edhe e dëmtuara heshtazi ka pranuar që të ketë marrëdhënie seksuale me ta… Sa i përket asaj që në ditën kritike është paraqitur në stacionin policor në Gjilan, duke e lajmëruar rastin se nga të akuzuarit në fjalë është dhunuar, këtë e ka bërë siç është theksuar edhe më lartë për ta arsyetuar vetën lidhur me qëndrimin e saj ndaj familjes duke konsideruar se tanimë duhet të largohet dhe mos të qëndroj më në Gjilan, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë edhe në forma të tjera, sepse me dhunë nuk kanë pasur kurrfarë interesi që ta mbajnë të akuzuarit pasi që i akuzuari i parë ka qenë i martuar kurse të akuzuarit të tjerë nuk kanë qenë të interesuar që ta marrin të njëjtën për grua”, thuhet në këtë aktgjykim.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit