Arianit Koci për sulmin në Gllogjan: Në vrasje ka marrë pjesë më shumë se një person

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 04.12.2021, 17:37

Avokati Arianit Koci ka folur për rastin e tragjedisë në Deçan ku mbetën të vrarë tre persona, dhe faktin që kur ka kaluar një javë nga rasti nuk ka ende të arrestuar.

Koci me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se sipas tij, hetuesia e ka humbur momentumin.

Sipas tij, në ditën e parë pas krimit gjurmët ishin ende të freskëta dhe që atë ditë do të duhej të bllokohej Rrafshi i Dukagjinit.

“Përndryshe, nuk ka asgjë të keqe nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë, me përvojë në hetime, apo edhe nga struktura hetuese të shteteve tjera”, ka shkruar ai.

Sipas Kocit, zbulimi i këtij krimi duhet të jetë prioritet shtetëror.

Postimi i plotë i Kocit në Facebook:

Kaloi java dhe ende nuk ka informata për vrasësin/it në Gllogjan.

Hetuesia e ka humbë momentumin.

Ditën e parë pas krimit, gjurmët janë të freskëta. Rasti është “i nxehtë” – siç quhet në zhargon kriminalistik.

Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kam insistuar që të bllokohet krejt Rrafshi i Dukagjinit menjëherë pas sulmit, të bëhet regjistrimi i çdo veture që qarkullon dhe të shtohet kontrolla kufitare.Çka mund të konkludojmë nga të dhënat e deritashme:

– Në vrasje ka marrē pjesë më shumë se një person – qoftë edhe në formë të ndihmës pas kryerjes së veprës penale;

– Ka pasur një plan të detajuar për sulm dhe për ikje nga vendi i ngjarjes;

– Nuk përjashtohet asnjë motiv apo pistë e hetimit.

2.

Me përvojën që kam – më duhen 3 persona nga inteligjenca e policisë, po aq nga FSK dhe AKI (ka individ shumë të aftë) – resurset informative të shetit, si dhe përdorimi brutal i mjeteve të lejuara me ligj, lidhur me hetimin e rastit.

Brenda 10 ditëve, informatat bazike lidhur me kryerësit e këtij krimi, do të diheshin.

3.

Ky krim duhet patjetër të zbulohet. Sa më shpejtë.

Kriminelëve duhet t’u dërgohet porosi, se askush nuk mund të kryej krime të tilla në Kosovë, pa u zbuluar dhe dënuar ashpër.

Përndryshe, nuk ka asgjë të keqe nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë, me përvojë në hetime, apo edhe nga struktura hetuese të shteteve tjera.

Zbulimi i këtij krimi, duhet të jetë prioritet shtetëror.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit