Incident tragjik në minierë, humbin jetën 52 persona

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.11.2021, 00:00

Të paktën 52 persona kanë humbur jetën tragjikisht pas një incidenti të rëndë ka ndodhur në një minierë në Rusi.

Ngjarja tragjike e cilësuar si një prej fatkeqësive më të rënda të minierave në Rusi, u shkaktua pas përfshirjes nga flakët të pluhurit të qymyrit në një bosht ventilimi, duke mbushur me tym minierën e Siberisë dhe duke vrarë 11 persona.

Numri i viktimave u rrit pasi operacioni i kërkim-shpëtimit nuk shkoi siç duhej dhe disa punonjës të ekipit të shpëtimit humbën jetën.

Një burim i shërbimeve të urgjencës i tha një agjencie lajmesh se "askush nuk ka mbetur gjallë".

Shumica e 285 punonjësve në minierën Listvyazhnaya, në rajonin e Kemerovës, rreth 3500 km në lindje të Moskës, arritën të largoheshin menjëherë pas incidentit.

Autoritetet ruse bënë me dije se 49 minatorë ishin dërguar në spital me lëndime. Disa prej tyre janë helmuar nga tymi, ndërsa katër të tjerë thuhet se janë në gjendje kritike për jetën.

Dhjetra minatorë për fat të keq nuk mundën të largoheshin pas incidentit të parë. Operacionet e shpëtimit duhej të pezulloheshin pasi në minierë u zbuluan nivele të rrezikshme të metanit, duke shkaktuar frikën për shpërthime të tjera të mundshme.

Një nga ekipet e shpëtimit nuk arriti të dilte nga miniera. Trupat e tre shpëtimtarëve u gjetën më vonë, duke e çuar numrin zyrtar të viktimave në 14.

Fillimisht u raportua se nuk pritej të gjendeshin të mbijetuar të tjerë dhe numri i të vdekurve u rrit me shpejtësi në 52, duke përfshirë dhe gjashtë punonjës të ekipeve të shpëtimit.

Në lidhje me incidentin tragjik janë arrestuar tre persona, përsfshirë drejtorin e minierës. Ata akuzohen për dështimin e sigurisë në minierë.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar këtë incident si një "tragjedi të madhe", ndërsa shpresonte se do të shpëtoheshin sa më shumë jetë njerëzish të ishte e mundur.

Burimi: BBC|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit