Udhëtari misterioz që doli i gjallë nga autobusi dyshohet të jetë një shtetas arab

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.11.2021, 17:54

Në aksidentin tragjik në Bullgari ku humbën jetën 44 persona, fillimisht u raportua për 45 të vdekur, e pastaj për 46.

Ndërkohë, edhe pse u raportuan 7 të mbijetuar, një dëshmitar këmbngulte se 8 persona kishin dalë të gjallë nga autobusi i djegur.

Prokuroja bullgare, Sijka Mileva, gjatë konferencës për media, nuk u përgjigj në pyetjen se a është 36-vjeçari Shaip Nauf Al Salah, shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe udhëtari misterioz.

Emrin e tij e kanë parë familjarë të të mbijetuarve në listën që e kanë marrë nga autoritetet bullgare. Këtë e pohon edhe djali i shoferit të dytë, i cili ka humbur jetën në vend ngjarje.

Në listën zyrtare të të mbijetuarve të cilën e publikoi MPJ e Maqedonisë së Veriut, nuk qëndron emri i shtetasit arab.Hetuesit bullgar, në mënyrë shtesë do të hetojnë kush është ky njeri dhe ku gjendet. Nëse ai ka shpëtuar nga autobusi i djegur dhe më pas në mënyrë misterioze është zhdukur natën.

Sipas Prokurorisë bullgare, nga autobusi janë nxjerr trupat e 44 personave, për të cilët pason procesi i identifikimit në ditën në vazhdim, pas cka të njëjtit do të dërgohen tek familjarët në Maqedoninë e Veriut.

Disa orë para aksidentit, në pikëkalimin kufitar Kapitan Andreevo, nga drejtimi i Turqisë ka hyrë një autobus, në pronësi të agjencisë turistike “Besa Trans” me 52 udhëtarë dhe ata janë evidentuar nga shërbimet kufitare bullgare.

"Nëse mblidhet numri i viktimave 44 dhe numri i të mbijetuarve 7 atëherë janë gjithsej 51 persona, për dallim nga ajo se në pikëkalimin kufitar janë evidentuar 52", ka theksuar prokurorja bullgare Sijka Mileva.

Mungon një udhëtar, ndërsa kjo përputhet edhe me deklaratën e njërit nga dëshmitarët e mbijetuar i cili ka thënë se 8 persona kanë dalë të gjallë nga autobusi.

“Në njërën nga dhomat e spitaleve kam biseduar me një djalosh i cili i ka mbijetuar aksidentit dhe i cili e ka thyer dritaren prej ku kanë arritur të shpëtohen personat tjerë. I thashë ‘ti je heroi im’. Ai pohonte se ka shpëtuar 8 persona. Pyetja e madhe është se ku është personi i 8-të. Ai në mënyrë kategorike pohonte se janë shpëtuar 8 persona”, shpjegon prokurorja.

Temën për udhëtarin e tetë misterioz e ka përmendur edhe zv/kryeprokurori Borislav Sadafov dhe drejtori i Shërbimit Nacional Hulumtues.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit