Champions League/ Man.City fiton me përmbysje ndaj PSG, Milan mposht në ‘frymën e fundit’ Atletico-n

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2021, 23:07

Janë luajtur mbrëmjen e sotme ndeshjet e 5-ta të fazës në grupe të Champions League, ku spikatën dy supersfidat e shumëpritura, Manchester City vs PSG dhe Atletico Madrid vs Milan.

Manchester City arriti një fitore me përmbysje ndaj PSG, duke siguruar vendin e parë në grupin A me 12 pikë.

"Qytetarët" fituan me rezultatin 2-1 me gola të Sterling dhe Jesus. Ishin parizienët ata që shënuan të parët, teksa Mbappe zhbllokoi shifrat në minutën e 50-të duke kaluar skuadrën e tij në një avantazh i cili zgjati vetëm 13 minuta, pasi Sterling barazoi shifrat në minutën e 63-të, ndërsa Gabriel Jesus shënoi golin e fitores për anglezët në minutën e 76-të.

Ndërkohë dueli tjetër i shumëpritur midis Atletico Madrid dhe Milan përfundoi me fitoren minimale të italianëve me rezultatin 0-1.

Goli i vetëm për "rossonerot" u shënua nga Junior Messias pas asistit të Kessie në minutën e 87 të ndeshjes.

Me këtë fitore, Milan ka ende shpresa për t'u kualifikuar për më tej në fazën e 16-ve, por do t'iu duhet të mposhtin Liverpool-in në ndeshjet e fundit në grup, si dhe duhet të shpresojnë që ndeshja tjetër midis Portos dhe Atletico-s të mbyllet në barazim.

Në ndeshjet e tjera, Real Madrid mposhti lehtësisht në transfertë modestët e Sheriff Tiraspol me rezultatin 3-0, duke u ngjitur në vendin e parë në grup. Golat u shënuan përkatësisht nga David Alaba, Kros dhe Benzema.

Sporting mposhti Dortmund me rezultatin 3-1, duke siguruar matematikisht kualifikimin për më tej.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit