Italia shtrëngon masat ndaj të pavaksinuarve, u ndalon hyrjen në bare, restorante dhe ngjarje sportive

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2021, 21:52

Qeveria italiane ka vendosur ditën e sotme të përjashtojë personat e pavaksinuar nga aktivitet argëtuese, në përpjekje për të frenuar rritjen e infeksioneve të koronavirusit dhe për të shmangur një mbyllje totale të vendit, gjë e cila do të çonte në një tjetër kolaps ekonomik.

Duke filluar nga 6 dhjetori, vetëm personat që kanë pasaportë vaksinimi ose që janë shëruar nga Covid-19 mund të shkojnë në bare, restorante, kinema dhe evente sportive, duke përjashtuar mundësinë për të hyrë në vende të tilla vetëm me një test negativ.

Një dekret i ri i qeverisë bëri gjithashtu të detyrueshëm vaksinimin për forcat e rendit, ushtarakët dhe të gjithë punonjësit e shkollave. Më parë, vaksinat kërkoheshin vetëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe atyre në shtëpitë e të moshuarve.

Kryeministri italian, Mario Draghi tha se këto masa ishin të nevojshme për të parandaluar rritjen e rasteve të koronavirusit dhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Italia po njeh një rritje të rasteve ditore me Covid-19, por në një shkallë më të ulët se vendet e tjera të BE-së, duke regjistruar rreth 10 mijë raste të reja dhe më pak se 100 vdekje në ditë.

Më shumë se 84% e popullsisë mbi 12-vjeç janë vaksinuar në Itali. Vlen të theksohet se 20 qytete të vogla në veri të vendit kanë normën më të ulët të vaksinimit. Këto qytete janë izonuar pasi infeksionet ditore kanë shënuar rritje të ndjeshme.

Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza tha se Italia po bënte më mirë se shumë nga fqinjët e saj, ndërsa theksoi se vendi kishte mësuar se çelësi për të luftuar pandeminë ishin masat parandaluese dhe proaktive.

Burimi: ABC News|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit