‘Do të konsultohemi’: AAK nuk e mohon mundësinë t’i japë nënshkrimet për ta dërguar Osmanin në Kushtetuese

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.11.2021, 20:36

Çështja e vendimit të shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryesueses në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pritet të jetë pjesë e diskutimeve mes grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri për lajmi.net, i cili ka thënë se ende nuk ka qenë pjesë diskutimi mes opozitës.

“Nuk e kemi diskutu këtë çështje në grupin parlamentar. Ka qenë rasti tek Avokati i Popullit. Do të konsultohemi edhe me grupe të tjera, nuk e kemi trajtu. Nuk e kemi diskutu se ka pasur tema të tjera të Kuvendit”, ka deklaruar Tahiri. Mediumi ka tentuar të kontaktojë edhe shefin e Grupit Parlamentar së LDK-së, Arben Gashin, por ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm.

Avokati i Popullit, ditë më parë, e ka refuzuar kërkesën e ish-kryesueses së KQZ-së që të dërgojë ankesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Dakës me arsyetimin se “nuk ka shteruar të gjitha mjetet ligjore”

“Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet”, thuhet në arsyetimin e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Vëzhguesit e BE-së për Zgjedhjet në Kosovë në raportin preliminar të raundit të parë të zgjedhjeve lokale kanë konstatuar se ekziston një dispozitë e paqartë lidhur me shkarkimin e Dakës nga KQZ-ja.

“Dispozita e paqartë ligjore e cila lejon shkarkimin e kryesuesit apo një anëtari nis nëse ata sillen apo veprojnë në mënyrë që ndikojnë seriozisht në statusin apo integritetin e KQZ-së. Kjo mund të lë hapësira për keqpërdorimin e saj”, u tha në raportin e BE-së. Subjekteve politike iu duhen 30 nënshkrime në mënyrë që ta dërgojnë këtë çështje për shqyrtim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese. Të njëjtit kanë në dispozicion 3 javë kohë që ta bëjnë një gjë të tillë.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit