Sektori i turizmit kërkon ndihmë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.11.2021, 20:57

Pa ndihmë urgjente të shtetit, bizneset e vogla dhe sektori i turizmit në Strugë dhe Ohër nuk ka gjasa të mbijetojë në muajt e ardhshëm, alarmojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, në situatë ku nuk ka mysafirë të huaj, pa ndihmë financiare, nuk do të mund të kapërcehet kriza.

“Në kushte të tilla, kur një pjesë e madhe e objekteve turistike dhe ekonomia turistike rëndohet me borxhe të shumta, me marrjen e kredive apo duke investuar, shteti duhet të jetë prezent një periudhë të caktuar si mbështetje për zhvillimin e turizmit”, tha Jovanka Damoska Sekulloska- profesoreshë e ekonomisë

Sekulloska thotë se në ndërkohë duhet të ketë ndihmë me promovimin më të madh turistik jashtë kufijve tanë. Ndërkohë, sektori i turizmit dhe gastronomisë nuk ka ende asnjë përgjigje nga Qeveria për kërkesën e tyre për pako të re të masave. Nga Ministria e Ekonomisë thonë për Alsat se kërkesat do të analizohen, por për vitin e ardhshëm:

“Duke pasur parasysh që të gjitha këto propozime kanë implikime fiskale në buxhet, theksojmë se aktivitetet e parashikuara në programet e Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2021 janë drejt përfundimit ndërsa të gjitha këto propozime do të analizohen dhe propozohen në programe dhe masa për vitin 2022″, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Siç ka bërë të ditur tashmë Alsat, ky sektor ka pesë kërkesa: subvencionim të pagave, financim të kontributeve, subvencion të taksës turistike, organizim të ngjarjeve për të vaksinuarit dhe taksë më të ulët për muzikë dhe të drejtat autoriale.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit