Ul rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, studimi i fundit zbulon ‘orën ideale’ për të fjetur gjumë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.11.2021, 23:42

Orari i duhur i gjumit mund të jetë "pikëpyetje" e shumë njerëzve, të cilët kërkojnë një përgjigje nga shkenca se kur duhet fjetur për të garantuar një gjumë sa më të rehatshëm dhe sa më të shëndetshëm.

Së fundmi, një studim i fundit ka sugjeruar se fjetja në orën 22:00 mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Studimi ku morën pjesë më shumë se 88 mijë njerëz ka zbuluar që fjetja në këtë orar lidhet me një rrezik më të ulët të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës krahasuar me rënien në gjumë më herët ose më vonë gjatë natës.

Studimi nuk mund të provojë se fjetja më herët se ora 22:00 mund të ndikojë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, pasi ka disa faktorë të tjerë ndikues si qëndrimi jashtë vonë, konsumimi i alkoolit, të cilat rrisin mundësitë për dëmtimin e shëndetit të zemrës. Studimi hulumtoi vetëm kohën dhe kohëzgjatjen e gjumit.

Megjithatë, Dr David Plans, kreu i kërkimit në Huma Therapeutics dhe lektor i lartë në Universitetin e Exeter, i cili është bashkëautor i studimit, tha se një mundësi ishte që orët e hershme ose të vonshme të gjumit mund të rezultojnë që individët të humbasin sinjale të rëndësishme si drita e mëngjesit. të cilat ndihmojnë në rivendosjen e orës së brendshme të trupit çdo ditë (ora biologjike).

"Nëse ora biologjike nuk rivendoset siç duhet për një periudhë të gjatë kohore, ajo mospërputhje e sjelljeve dhe e orës cirkadiane rrit inflamacionin dhe mund të dëmtojë rregullimin e glukozës, të cilat mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare", tha Plans.

Studimi raportoi se 3172 nga 88026 pjesëmarrësit, të rekrutuar midis viteve 2006 dhe 2010, zhvilluan sëmundje kardiovaskulare gjatë një periudhe mesatare prej 5.7 vjetësh, asnjë prej të cilëve nuk e kishte këtë gjendje ose çrregullime gjumi përpara studimit.

Ekipi zbuloi gjithashtu se nga 3,172 pjesëmarrësit, 1371 prej të cilëve ranë në gjumë pas mesnate, 1196 të tjerë pohuan se fjetën në orën 23:00 dhe vetëm 132 kanë fjetur para orës 22:00.

Pasi morën parasysh informacione të ndryshme, të tilla si mosha e pjesëmarrësve, gjinia, statusi i pirjes së duhanit, kohëzgjatja e gjumit, parregullsia e gjumit, nëse ata kishin diabet, presionin e gjakut dhe statusin socio-ekonomik, studiuesit konkluduan se pjesëmarrës të cilët ranë në gjumë midis orës 22:00 dhe 22:59, kishin një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare sesa ata që fjetën më herët ose më vonë.

Më konkretisht, ata që fjetën në mesnatë ose më vonë kishin një rrezik 25% më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, ndërsa ata që binin në gjumë para orës 22:00 kishin një rrezik 24% më të lartë.

"Njerëzit shpesh supozojnë se sëmundjet kardiovaskulare janë pasojë e ndikimeve fiziologjike. Por faktikisht ndikimi i sjelljes së përditshme në sistemin kardiovaskular si rezultat i ndërprerjes cirkadiane është i madh", theksoi Plans.

Burimi: The Guardian|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit