JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Erion Veliaj shpenzon 54 milionë lekë për t’u treguar shqiptarëve rrushin dhe kumbullat
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21/10/2021 22:31

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Erion Veliaj siç dihet është drejtuesi aktual i Bashkisë së Tiranës. Ky institucion në vetvete organizon një numër të madh procedurash prokurimi. Është e kuptueshme që këto procedura kanë qarkullim të lartë fondesh që varion nga disa miliona në disa miliarda. Një pjesë e mirë e tenderave të këtij institucioni janë konsideruar si të dyshimtë për një sërë arsyesh. Njëri prej tyre duket se është edhe tenderi që po ju paraqesim në vijim.

Rezulton se Erion Veliaj do të shpenzojë gati 54 milionë lekë të vjetra me TVSH për të ekspozuar produktet lokale të Tiranës. Mes këtyre produkteve natyrisht do të jenë edhe rrushi dhe kumbullat, të cilat në rastin konkret përveçse produkte lokale të kryeqytetit, simbolizojnë në fakt edhe vetë shpërdorimin e 54 milionë lekëve nëpërmjet këtij tenderi. Arsyet do t’i gjeni në vijim. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-07535-10-07-2021 dhe me objekt “Shijo produktet lokale të Tiranës”. Fondi limit i tenderit është 4,491,883 lekë të reja pa TVSH ose gati 54 milion lekë të vjetra me TVSH.

Në thelb bëhet fjalë për ngritjen e disa tendave në sheshin Skënderbej ku do të ekspozohen produktet lokale të Tiranës, të tipit prodhime bujqësore e blegtorale të tilla si vreshtaria, bulmeti, mjalti, frutat e egra, bimët medicinale etj, si dhe produkte artizanale. Mirëpo vihet re se ky tender ka një mungesë totale konkurrence pasi në të është paraqitur vetëm një kompani, përkatësisht “Piano-Bisha” shpk në pronësi të shtetasit Rezar Bisha, kompani e cila është shpallur edhe fituese.

Ky subjekt është paraqitur me ofertë në vlerën 4,481,600 lekë të reja pa TVSH ose rreth 54 milion lekë të vjetra me TVSH. Përveç mungesës së konkurrencës, vihet re edhe diferenca tepër e vogël mes vlerës fituese dhe fondit limit të tenderit. Përkatësisht vlera fituese rezulton të jetë sa 99.77% e fondit limit. Të dyja këto fakte ngallin dyshime se fituesi i këtij tenderi mund të ketë qenë i paracaktuar.