Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e mbrëmjes në Shkup.
Në rrugën “Xhon Kenedi” në Çair, pas grabitjes së një farmacie, ka ndërruar jetë pronari i saj A.S., 40-vjeçar si pasojë e stresit që ka marrë.
Rastin për Rtv21 në Maqedoni e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Më 22.09.2021 në ora 20.40 është denoncuar se në një farmaci në rrugën “Xhon Kenedi” një person duke kërcënuar me thikë të punësuarën, e ka marrë qarkullimin ditor. Pas dhjetë minutash më vonë në barnatore ka ardhur pronari A.S.(40), të cilit, sipas denoncimit, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Për kohë të shkurtër në barnatore ka ardhur Ndihma e Shpejtë dhe me veturën e tyre është dërguar në kompleksin “Nënë Tereza” – Klinika e Kardiologjisë, ku nga ana e mjekut është konstatuar vdekja”, thuhet në njoftimin e MPB në Maqedoni të Veriut.