JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Çudira nga Vlora/ 100 milion tender për mirëmbajtje varrezash firmës që ofroi më shumë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08/09/2021 22:11

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Çudirat shqiptare janë nga më të ndryshmet. Janë aq të shumta sa zor të gjesh në një numër të tillë në vendet e tjera të planetit Tokë. Çudia e rradhës që do t’ju paraqesim sot, ka të bëjë me një tender vlonjat. Po, po. Është pikërisht Bashkia Vlorë që ka organizuar një tender me objekt “Shërbimi mirëmbajtjes të varrezave publike dhe të dëshmorëve të Bashkisë Vlorë”.

Fondi limit i tij rezulton të jetë 8,000,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 100 milionë lekë të vjetra duke përfshirë edhe TVSH-në. E bukura është se në këtë tender ka disa çudira. Jo vetëm shifra jo e vogël që nevojitet për mirëmbajtje, por edhe fakti se kemi të bëjmë me një konkurrencë të cunguar. Vihet re së kanë marrë pjesë në garë vetëm dy firma. Për habi fituese është shpallur firma që ka ofruar shifrën më të lartë.

Bëhet fjalë për kompaninë K & N në pronësi të shtetasve Nuredin Sinani dhe Kastriot Mezini. Kjo firmë ka ofruar vlerën 7,936,312 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH. Krahasuar me firmën tjetër pjesëmarrëse, shikohet se firma K & N është shpallur fituesja e tenderit, megjithëse ka ofruar gati 7 milionë lekë të vjetra më tepër sesa firma tjetër.

Me sa duket Bashkia Vlorë nuk e ka marrë parasysh këtë diferencë dhe ka gjykuar të arsyeshme ta shpallë fituese. Nga ana tjetër përveç sa më sipër shikohet se vlera fituese është gati e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.2%. Të gjitha këto janë faktë që ngjallin dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar që në fillim.