JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Shqiptarët blenë 11 ton akullore kancerogjene, AKU harxhon 30 milionë për kondicionerë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23/08/2021 22:20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vetëm pak ditë më parë në media u përhap lajmi se disa lote të çokollatave Snickers, Mars, Twix, Bounty etj rezultonin me elementë kancerogjenë në përbërje të tyre. Vetëm pak kohë më pas u zbulua se nuk bëhej fjalë vetëm për çokollata, por edhe për akullore të të njëjtave marka. Për habi AKU, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk bëri asnjë deklaratë të njoftimit masiv në mediat kryesore apo në edicionet e lajmeve ku të informohej në mënyrë të qartë e të prerë publiku që të mos konsumonte lotet me probleme të këtyre produkteve.

Në media u përfol se ky njoftim nuk ishte bërë për shkak se kompania që i importonte në Shqipëri ishte pjesë e një grupi i cili fiton “me lopatë” tendera shtetërorë kryesisht në fushën e informatikës dhe pajisjeve të zyrave. Ndërkaq ditën e sotme u njoftua se në treg janë shitur e për rrjëdhojë janë konsumuar nga fëmijët e shqiptarëve, mbi 11 ton akullore të këtyre produkteve me probleme. Vini re se njoftimi është vetëm për akulloret, pa i përfshirë çokollatat.

Të gjithë pyesnin veten se ku ishte AKU dhe përse nuk kishte njoftuar publikun për këtë çështje? Por me sa duket rezulton se ky institucion ka qenë tepër i zënë duke bërë rrush e kumbulla lekët e shqiptarëve. AKU ka organizuar tre tendera të ndryshëm brenda të njëjtës periudhë kohe për riparim kondicionerësh. Fondi limit i të tre tenderave shkon gati 30 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por ky është vetëm problemi më i vogël.

Rezulton se kemi të bëjmë me një rast skandaloz ku i njëjti tender me të njëjtin numër reference është dhënë 3 herë të ndryshme dhe në të trija herët ka 3 fitues të ndryshëm! Të tre tenderat në fjalë janë hapur në datë 04-08-2021 Ora : 14:30 dhe janë mbyllur të nesërmen në datë 05-08-2021 Ora : 14:30. Pra AKU i janë dashur vetëm 24 orë për të shpallur 3 fitues të ndryshëm për riparim kondicionerësh, në tre tendera me të njëjtin numër reference REF-02301-08-04-2021.

Ky është një ndër rastet më skandaloze ku paratë e shtetit harxhohen 3 herë për të njëjtin motiv, për të njëjtin numër reference, dhe i jepen 3 kompanive të ndryshme. Kuptohet qartë se drejtori i AKU jo vetëm nuk duhet të qëndrojë më në detyrë, por duhet arrestuar për vjedhje të hapur. Ju si mendoni?