JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Tërbohet” ujësjellësi i Zaiminës, 250 milionë lekë tender pa konkurrencë për rehabilitim  
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05/08/2021 22:35

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Çudirat me Ujësjellës Kanalizime Durrës vijojnë të “godasin” sytë dhe veshët tona gjithmonë e më shpesh. Nëse vetëm pak ditë më parë bëri bujë lajmi i dokumentit ku vërtetohej se ky institucion kishte punësuar si specialiste këngëtaren Zaimina Vasjari, tashmë e kanë rradhën tenderat e tij. Rezulton se Sh.A Ujësjellës Kanalizime Durrës ka hapur një tender që mban si numër reference REF-98482-06-18-2021 me fond limit 20,381,870 lekë të reja pa TVSH ose rreth 250 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Tenderi në fjalë ka si objekt “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Shkafanë, Nj.Adm.Ishëm, Bashkia Durrës”. Për habi në këtë procedurë prokurimi ka marrë pjesë vetëm një kompani. Bëhet fjalë për “G.A.C” e cila rezulton të jetë në pronësi të Klodian Alimadhit dhe Hajrie Cinga. Kjo e fundit është vajza e Shpëtim Cingës pronarit të kompanisë “SHANSI INVEST” e cila hyn ndër kompanitë që kanë marrë një numër mjaft të lartë fondesh publike nëpërmjet tenderave.

Duke qenë se në të ashtuqujturën garë ka marrë pjesë vetëm një kompani, rrjedhimisht ajo është shpallur edhe fituese. Pra shikohet qartë se këmi të bëjmë më një mungesë totale të konkurrencës, një fakt ky tepër i dyshimtë përsa i përket një fituesi të mundshëm të paracaktuar. Jo vetëm kaq por edhe vetë raporti mes vlerës së ofruar nga kjo firmë me vlerën e fondit limit është tepër i lartë, përkatësisht 99.81%. E thënë më qartë, ky tender ka dy aspekte të dyshimta, mungesën totale të konkurrencës si dhe faktin që vlera fituese është thuajse identike me vlerën e fondit limit. Kaq mjafton që SPAK të vihet menjëherë në lëvizje, të paktën në teori.