Unë kam mbajtur mësim me nxënësit, por atyre ua kam sqaruar se ka shtrembërim të fakteve dhe për këtë dëshmitarë janë vetë nxënësit. Unë shumë kam qenë i emocionuar dhe i prekur nga ajo që përmban ky libër dhe sa herë që mbërrij në këtë njësi mësimore, mundohem t’ua sqaroj nxënësve, t’i ndërgjegjësojë ata apo t’ua sqaroj se çfarë mendojnë qarqet akademike maqedonase për shqiptarët”, thotë Aliu për REL.
Xheladin Murati, profesor i Pedagogjisë thotë se kjo që ndodh me tekstet shkollore është kulmi i fyerjeve që i bëhen shqiptarëve, ndërsa përgjegjësinë thotë se fillimisht duhet kërkuar te shërbimi pedagogjik, autorët, recensentët, përkthyesit dhe lektorët e më pas edhe te Ministria e Arsimit.
“Ministria e Arsimit bartë përgjegjësi, por përgjegjësia më e madhe bie mbi shërbimin pedagogjik që merret me botimin e teksteve. Dhe, kjo nënkupton se ministri nuk i lexon librat, por ai duhet të informohet nga shërbimet pedagogjike. Pra, kompleksi është më i gjerë sepse përgjegjësia për gabimet, ato historike, kombëtare, për çështjet sociale, për aspektet gjuhësore të tekstit, për përkthimin me gabime të tekstit.. në radhë të parë fajtorë janë autorët, pastaj recensentët të cilët e kanë lejuar përdorimin e tij me të gjitha të metat që i posedon”, thotë Murati.
Ai thotë se testet më përmbajtje të tillë fyese për shqiptarët rrisin edhe mosdurimin etnik në vend dhe në këtë rast sipas tij, kemi të bëjmë me dështim të politikës arsimore që bart dhe rreziqe në një vend shumetnik, siç është Maqedonia e Veriut.
“Ajo që shkruhet nëpër tekste ndaj shqiptarëve, ofendimet që u bëhen atyre, paraqet dështim komplet të politikës arsimore. Por, si duket kjo mund të jetë bërë edhe me qëllim për të poshtëruar popullatën shqiptare me problemet me të cilat ajo nuk përballet, apo imponohen si të tilla. Mendoj se është gabim i madh që këto tekste ende vazhdojnë të jenë në përdorim. Ato nuk janë zbuluar sot, por në përdorim janë që nga viti 2002 apo 2003”, thotë profesori Xheladin Murati.
Përgjegjësia për këto skandale, sipas Muratit, u bie edhe mbi profesorët, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë masë, apo edhe të bojkotojnë tekstin shkollor nga ana e nxënësve. Ai thotë se nuk duhet të priten reformat në arsim që të ndryshohen tekstet, por të ketë botime krejt të reja, pasi gabimet janë aq që mëdha, jo vetëm fyese apo me gabime gjuhësore, por edhe përmbajtjesore, pasi nuk kanë asnjë logjikë në trajtimin, qoftë edhe të temave shkencore.