Tre ditë më parë fshati Gradicë i Drenasit është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Në pyllin e këtij fshati, nga të shtënat me armë zjarri është vrarë 15-vjeçari me iniciale A.M. dhe është plagosur rëndë babai i tij Bekim Muja, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit XH.B. për veprën penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe A.B., për shkak të veprës penale “Ndihmë për kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”.
“I pandehuri XH.B. me datë 06 prill 2021 pasi kishte dëgjuar një moto sharrë duke prerë dru në zabel, me vete kishte marrë të pandehurin A.B. djalin e tij dhe një pushkë gjuetie dhe me veturë kishin shkuar në vendngjarje, respektivisht në zabel, dhe aty i pandehuri XH.B., me pushkë gjueti kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.M., 15 vjeçar, ndërsa ka mbetur rëndë i plagosur i dëmtuari B.M. babai i të ndjerit, i cili i është në gjendje kome në QKUK, pas një intervenimi që i është bërë në tru dhe gjendja e tij vazhdon të jetë kritike”, thuhet në njoftim.
Mësohet se motivi për këtë vrasje është një mosmarrëveshje që viktimat kanë pasur me dy të dyshuar për një pronë publike.