Besimtarët myslimanë po hynë në muajin e shenjtë të Ramazanit ndërsa agjërimi fillon më 13 prill. Për shkak të pandemisë kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai u bëri thirrje besimtarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve shëndetësore. Megjithëse të pakënaqur me masat e reja të Qeverisë, konkretisht zgjatjen e orës policore, nga BFI thonë se falja e namazit të teravisë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit do të pamundësohet.
“Bashkësia Fetare Islame që nga fillimi i pandemisë me përpikëri i ka respektuar të gjitha masat dhe rekomandimet e sjella nga institucionet shëndetësore përkatëse me qëllim mbrojtjen e shëndetit të besimtarëve, me ç’rast edhe pas vendimit të fundit për orën policore, në kohën e lëvizjes së lirë do të vazhdojë respektimi i plotë i masave në të gjitha xhamitë, do të respektohen të gjitha protokollet dhe masat për grumbullime.
Në BFI përsëritin se lutjet dhe faljet do të vazhdojnë me respektimin e masave dhe distancës në të gjitha xhamitë e territorit të Maqedonisë së Veriut. “BFI është institucion që çdoherë punon dhe vepron në bazë të situatës faktike të vendit tonë. Shpresojmë dhe lutemi që gjendja të përmirësohet dhe të na mundësohet të kryejmë të gjitha adhurimet fetare në liri të plotë në përputhje me masat e parapara të distancës, maskave dhe rekomandimeve tjera”, theksojnë ata.
Në ndërkohë, nga institucioni më i lartë fetar islam pohojnë se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë – po shqyrtojnë mundësinë të vaksinohen të gjithë nëpunësit e BFI-së.
“Me qëllim tejkalimin e situatës dhe daljes nga pandemia – vaksinimi është i detyrueshëm. Për këtë arsye, BFI është në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në suaza të bashkëpunimit të ndërsjellë, shpresojmë që do na mundësohet vaksinimi i të gjithë nëpunësve tanë”. Gjithashtu, nga BFI apelojnë për kujdes si dhe udhëzojnë besimtarët të respektojnë rregullat shëndetësore.
“Situata me virusin korona është kritike dhe për këtë arsye – udhëzojmë të gjithë besimtarët që ta marrin me seriozitetin më të madh dhe t’i respektojnë masat dhe rekomandimet shëndetësore me qëllim mbrojtjen e tyre, familjes, të afërmve dhe shoqërisë në përgjithësi”, deklarojnë nga BFI.