Firma 4-AM është njëra prej kompanive që ka përfituar më shumë tendera gjatë qeverisjes së Rilindjes. Me letra ajo drejtohet nga Ardit Metaliaj, por në media është aluduar shpesh se në fakt pas Metalisë dhe firmës 4-AM fshihet vetë oligarku Bashkim Ulaj. Ky I fundit dyshohet se e përdor firmën 4-AM si një maskë për të përfituar sa më shumë tendera.
Në rastin konkret, firma 4-AM ka aritur të fusë në xhep rreth 3 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-76420-10-22-2020 dhe me objekt “Mbilartësimi dhe ndërtimi i pritave malore në përroin e Lerinit dhe Bugjonit në HEC Koman”. Tenderi është dhënë nga njëri prej institucioneve në varësi të Ramës, përkatësisht Sh.A Korporata Elektroenergjitike Shqiptare Tiranë.
Në tender shikohet se kanë marrë pjesë 12 kompani, nga të cilat të paktën njëra ka ofruar një vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak se firma maskë e Bashkim Ulajt. E megjithatë firma 4-AM ka fituar përsëri në mënyrë të habitshme. Duket se tenderi ka qenë i paracaktuar paraprakisht për t’u fituar nga kjo kompani.