Devolli është një bashki relativisht jo e madhe, por duket se ky fakt nuk e ka penguar kryetarin Eduard Duro që të planifikojë jo pak, por rreth 600 milionë lekë të vjetra për të pastruar territorin nën administrim të Bashkisë Devoll. Kështu nëpërmjet një procedure tenderimi që mban numrin e referencës REF-86036-02-04-2021 dhe ka për objekt “Shërbimi i pastrimit në Bashkinë Devoll”, Eduard Duro ka vendosur si fond limit shifrën e mësipërme, më konkretisht 48,826,042 lekë të reja pa TVSH.
Procedura është hapur në datë 05-02-2021 dhe data e mbylljes për pranimin e kërkesave për pjesëmarrje është caktuar 22-02-2021. Duke parë specifikimet teknike të tenderit shikohet se gjithë kjo shumë planifikohet që kryesisht të shpenzohet për largimin e mbeturinave nga kazanët e plehrave si dhe për fshirjen e larjen e rrugëve. Bie në sy se pastrimi i rrugëve do të bëhet me fshesë dhe duke përdorur krahët e punëtorëve. E megjithatë, kërkohet që të shpenzohet një shifër kaq kolosale. Mbetet vetëm të presim se cila do të jetë fima “fatlume” që do të shpallet fituese.