Bashkia Sarandë duket se nuk po ngel pas “simotrave” të saj në të gjithë vendin. Zgjedhjet po afrojnë, dhe në një mënyrë apo në një tjetër duhen kënaqur të gjithë mbështetësit që mund të sigurojnë vota. Dhe një nga mënyrat më të mira është që të krijohen tendera në dukje të pakuptimtë por që në fund të fundit shërbejnë vetëm si “shpërndarje” fondesh tek ata që “duhet” t’i marrin. Një nga këto tenderat e çuditshëm është edhe ky që po ju paraqesim në vijim.
Bashkia Sarandë ka hapur një tender me numër reference REF-85526-02-02-2021 që ka si objekt ”Shërbim printimi dhe fotokopjimi të dokumentave”. Për këtë shërbim, Adrian Gurma planifikon të shpenzojë plot 18 milionë lëkë të vjetra me TVSH. Pritet vetëm të shpallet fituesi, për të kuptuar se tek cili do të shkojë “qoka” e rradhës. Themi qokë, pasi është me të vërtetë e pakuptueshme se si mund të harxhohen 18 milionë lekë për shërbime printimi e fotokopje, në një kohë që qeveria aktuale gjithmonë ka këmbëngulur në dixhitalizimin e dokumentacioneve.