Të dhunuar…! Protesta që ekspozoi problemin e pariparueshëm të policisë

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 22.01.2021, 15:31

Zyrtarisht raporti më i fundit ndaj sjelljeve të policisë që i përket vitit 2019 thekson se 19 përqind e denoncimeve të qytetarëve janë kundër oficerëve të policisë, që raportohen për sjellje arbitrare pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Një shifër e tillë tregon se shtetasit shqiptar janë njëlloj të shqetësuar si nga policët e korruptuar ashtu edhe nga të dhunshmit. Por ankesat për sjelljet arbitrare lidhen me mungesën e etikës, mos respektimin e të drejtave gjatë aksioneve të ndryshme policore deri tek dhuna në rajonet policore. Një shqetësim që në kohë të ndryshme e ka ekspozuar policinë për sjelljet arbitrare, veçanërisht gjatë operacioneve për ndalimin e të dyshuarve, raporton qualityjournalism.

Raporti vjetor i vitit 2019, SHÇBA

Por rasti më tipik që tregoi mënyrën se si reagon policia ishin sërish protestat shtatë ditore, të zhvilluara ditë pas dite menjëherë mbas vrasjes së Klodian Rashës. 25 vjeçari u qëllua për vdekje me armën e shërbimit teksa po vraponte për t’iu larguar një patrulle, në tentativë për të mos ju bindur forcave Shqiponja. Të dhënat kontradiktore për ngjarjen, që hidhnin pikëpyetje mbi veprimet e policit që e vrau Rashën, ndezën përmes rrjeteve sociale protestat që u mbyllën me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj. Pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu mbeti i paprekur me gjithë kërkesat e protestuesve për largimin e tij dhe jo shumë kohë nga skandali i rrahjes së një të mituri nga forcat policore, për mamanë e të cilit Kreu i Policisë kishte përdorur edhe vetë një gjuhë të ashpër, pas të cilës kërkoi falje.

Kësaj radhe problemet me dhunën në protestë i nxorën para gjyqtares së masave të sigurimit personal, të arrestuarit dhe avokatët e tyre. Në seancat maratonë dhe të mbushura me të shoqëruar secili tregoi se si ishte prangosur pa asnjë shkak, ndonëse ndërkohë policia këmbëngulte se ishte rrezikuar jeta e policëve nga sendet e forta dhe lëndët piroteknike.

Ajo që ndodhi nga datat 8 deri në 15 dhjetor, ishte një serial që niste me protesta dhe mbyllej në mbrëmje me arrestime dhe shoqërime. “Në mbrëmje vonë u gjenda nëpër komisariate, nuk dija ku gjendej im bir, ku ishte shoqëruar, çfarë kishte bërë, rrëfen për ACQJ, Ismail B., një baba që i kaloi orët pas protestës sa në policinë vendore sa në gjykatë derisa djali i tij u lirua nga gjyqtarja e masave Shefkie Demiraj.

Mes të rinjve në moshë madhore, vërehet shoqërimi dhe ndalimi i të miturve që përkundër kartës së të drejtave, që kërkon njoftimin e prindërve dhe psikologut, u mbajtën në rajonet policore në mënyrë flagrante. Një i mitur me inicialet A.V, rezulton që u dhunua nga policë civilë ndërsa nga organizmi që e monitoroi veprimtarinë e policisë thuhet se “në kartelën e tij shëndetësore ku ishte pasqyruar ky pretendim, ishte shënuar se i mituri kishte hematoma në pjesën e ballit dhe të nofullës në krahun e majtë”.

Në këtë pikë Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson në një shkresë të përcjellë drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe një sërë zyrtarësh të tjerë se gjatë kqyrjes së protestave se u vëu re mungesë dokumentacioni ku kujdestarët e të miturve do duhej të nënshkruanin. “Mos dokumentimi i aksesit të psikologut në regjistrin e hyrjeve të personave në izolim dhe mos njoftimi i prindërve bie ndesh me ligjet”, përmend KShH, duke radhitur edhe detaje si nënshkrimi vetëm i të miturit që në kushtet e privimit të lirisë edhe pse ai mund të jetë mbajtur për pak kohë në komisariat.

Kishte vetëm dhunë apo dhe gabime të tjera?

E kritikuar për reagimin e kohë pas kohshëm në protesta të ndryshme ndër vite, deri ku i tejkaloi kompetencat policia gjatë protestave të dhjetorit 2020?

“Problemi më i madh dhe i dukshëm ishte dhuna që pretendohet”, pohoi një burim pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, një strukturë nën varësi të Ministrisë së Brendshme që garanton zbatimin e ligjit nga oficerët e policisë dhe i kontrollon ata për shkeljet në dëm të interesave të qytetarëve. Sipas burimit zyrtar të Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, pranë këtij shërbimi po trajtohet ankesa e një të riu, që këmbëngul se u arrestua dhe u dhunua në shkelje të kushtetutës dhe lirisë së tubimeve. Por pyetjes zyrtare të ACQJ për të publikuar detaje nga këto ankesa, SHÇBA iu përgjigj se janë në proces 7 ankesa që lidhen me pretendimet për veprimet e strukturave të Policisë së Shtetit gjatë protestave të muajit dhjetor. Nga këto 7 ankesa, 4 prej tyre janë në proces verifikimi, ndërsa për 3 ankesat e tjera janë kryer të gjitha verifikimet dhe materialet hetimore janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Sa i përket fillimit të hetimit disiplinor, SHÇBA thekson se deri tani vetëm 2 punonjës policie janë në hetim.

Por çfarë ndodhi me personat e arrestuar, a u ushtrua dhunë, a u arrestuan disa prej këtyre personave pa patur prova konkrete?

5 të rinj të intervistuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, që protestuan dhe kërkuan drejtësi për Klodian Rashën insistojnë se nuk kryen asnjë veprim të kundraligjshëm, ose nuk u përfshinë fare në protesta. Pavarësisht kësaj ata përfunduan për orë të tëra në komisariatet e Tiranës.

Fatjon Jahaj rrëfen për “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore” se nuk u angazhua në protestë, por rastësisht u gjend nën duart e policisë mbasi rastësisht po kalonte pranë vendit të protestës.

Fatjon Jahaj duke protestuar për naftëtarët.

“Nuk isha në protestë isha duke kaluar para presidencës për qejfin tim dhe kur unë kalova aty nuk kishte protestë. Nuk kishte njerëz të grumbulluar pra nuk kam qenë asnjë ditë në protestë, po ecja për në drejtim të liqenit artificial kur më kanë ndaluar dhe arrestuar”, tregon Jahaj.

25 vjeçari i cili ka punuar 3 vite në ushtri, kujton se dhuna u ushtrua në Komisariatin nr.1, menjëherë pasi refuzoi të firmosë deklaratën ku duhej të pranonte se ishte protestues.

“Nuk pranova të firmosja deklaratën se e shkruan sikur kisha marrë pjesë në protestë, ndërsa nuk është aspak e vërtetë”.

Jahaj u arrestua më 11 dhjetor dhe pasi u mbajt për 3 ditë në qelitë e paraburgimit, ndaj tij gjykata vendosi një masë të lehtë, atë të “arrest me burg me afat 15 ditë”. I riu doli nga paraburgimi i Fushë Krujës në 30 dhjetor pasi munguan provat shtesë të Prokurorisë përmes të cilave mund të vërtetoheshin veprimet e tij të kundraligjshme. Veç lirisë që ju mohua në mënyrë flagrante, dëmi i dytë ndaj Jahaj ishte humbja e vendit të punës.

Punoja në montim kamerash dhe sisteme alarmi me një kompani security, tani jam i pa punë se e humba punën nga arrestimi dhe qëndrimi i gjatë në rajonin e Policisë dhe në burgun e Fushë-Krujës”. Ai iu drejtua Avokatit të Popullit me shpresën se do të zbardhet dhuna e ushtruar ndaj tij.

“E kam bërë ankesën për të gjitha ato veprime që ka bërë Policia e Shtetit ndaj meje”, e mbyll rrëfimin Jahaj.

Një tjetër person që është arrestuar sepse po filmonte protestën është Nderim Kurti, arrestuar më 11 dhjetor. Ai e pa burgun deri në datën 8 janar 2021. Edhe ai pretendon se u rrah gjatë gjithë rrugës nga bulevardi deri në komisariat.

Nderim Kurti në qelinë e paraburgimit.

“Kam dalë për të filmuar protestën dhe në ditën e dytë kam marrë një kërkesë nga nje rrjet social i menaxhuar nga emigrantët Stopfakealbania.al, për të filmuar direkt gjithë ngjarjen. Me 11 dhjetor kur jam edhe arrestuar, kur po ikja drejt shtëpisë sime, po ecja në trotuar, kur në atë moment vjen furgoni i policisë dhe oficeri e policisë jep urdhër që të ndaloj. Oficeri më komunikoi se je i arrestuar për shkak se ke goditur me gurë, i kam komunikuar që thjesht po filmoja, por ai nuk ka marrë në konsideratë fare fjalët e mia dhe më ka arrestuar. Më kanë kapur me dhunë dhe më kanë futur në furgonin e policisë dhe gjatë dërgimit për në komisariat kanë ushtruar dhunë, më kanë goditur me grushta në disa pjesë të trupit. Madje kam pasur edhe shenja në pjesën anësore të ballit, por më kalimin e ditëve ato shenja u zhdukën, kam kërkuar që të më bëhëj një vizitë mjeko-ligjore për të vërtetuar dhunën por nuk kanë pranuar”, shprehet Kurti.

Ai u la në paraburgim, sipas dëshmisë së pesë oficerëve të policisë që pavarësisht pretendimeve nuk paraqitën asnjë provë kundër tij.

“Kam qendruar 3 ditë në qelitë e paraburgimit dhe më pas Gjykata ka vendosur masën arrest me burg 10 ditë. Pas 10 ditësh edhe pse prokurori nuk gjeti prova të reja, Gjykata vendosi të ndryshojë vendimin dhe më dha masën arrest me burg. Jam dërguar në IEVP e Fushë-Krujës për të kryer dënimin e dhënë nga Gjykata. Pas apelimit të vendimit nga avokatët e mi kam arritur të dal me 8 janar 2021 nga burgu”, tha 25 vjeçari.

Gjithashtu Kurti rrëfen se ka qëndruar në 3 javë pa komunikuar me familjen e tij dhe se në Burgun e Fushë-Krujës është detyruar të karantinohet 14 ditë në një dhomë izolimi.

Ndryshe nga bashkëmoshatari Jahaj, Kurti këmbëngul se veprimi i tij i radhës është dorëzimi i një kallzimi në prokurori. Por deri ditën e publikimit të shkrimit ai nuk e kishte dorëzuar këtë ankesë penale pranë akuzës.

Protesta nuk u tolerua as në ambjentet e policisë!

Të tjerë pretendojnë gjatë intervistës me ACQJ se ndaj tyre u veprua dhunshëm edhe kur ishin mbyllur brenda dhomave të shoqërimit.

Për studentin ekselent të Mjekësisë së Përgjthishme, Arjon Kuçuku vendimi i gjykatës ishte më i lehtë. Ai u urdhërua që të qëndrojë nën arrest shtëpie.

Arjon Kuçuku

“Isha shtrirë mbi vijat e bardha tek ura që të dërgon tek Drejtoria e Policisë edhe aty duke qënë shumë paqësor, pasi ai ishte qëllimi që u shtrime në tokë. Aty më kanë rrethuar dhe arrestuar duke dhënë urdhër njëri prej policëve duke i thënë të tjerëve rrethojeni dhe arrestojeni. Kanë ushtruar dhunë ndaj meje gjatë shoqërimit brenda në komisariat, një efektiv i Shigjetave i cili vazhdimisht me jepte urdhra dhe unë i bindesha urdhrave të tij, por ai më godiste nga këmbët, koka me faktin se unë nuk po i bindesha urdhrave të tij. Kurse brenda në Drejtorinë e Policisë më ka goditur një efektiv i policisë me numër 00992. Më ka goditur për shkak se kam shkruar diçka në murë për të kaluar kohën. Ka ardhur brenda në dhomën e shoqërimit dhe me ka goditur me shputë në faqen e majtë, në faqen e djathtë dhe në shpinë dhe këtë e faktojnë edhe kamerat e sigurisë brenda Drejtorisë së Policisë. Me mua janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të cilët dolën brenda 10 orëve. Pasi kam qëndruar për 72 orë në paraburgim, Gjykata dha vendimin me arrest shtëpie për 14 ditë dhe pasi mbarova këtë dënim, tani jam me detyrim paraqitje pa afat sepse hetimet nuk janë mbyllur”, tregon studenti ekselent i Mjekësisë së Përgjithshme që po përgatit ankesën pranë SHÇBA.

Kur s’pati dhunë, pati shkelje ligji…

Ndryshe nga tre të dhunuarit, 23 vjeçari Vilson Kulemani nuk është dhunuar por arrestimi sipas tij ka qënë në kundërshtim nga ana proceduriale.

“Jam mbajtur 92 orë në dhomat e sigurisë kur afati për tu mbajtur është 72 orë. Vendimi i parë i Gjykatës ishte arrest shtëpi për 17 ditë, vendim të cilin e kam apeluar dhe Gjykata e Apelit vendosi që të më lërë me detyrim paraqitje dy herë në muaj”, shprehet Kulemani.

Për 23 vjeçarin masa e arrestit shtëpiak ka ndikuar negativisht në familjen e tij, pasi ai është personi që përkujdeset për nënën e tij e cila është invalide.

“Arresti në shtëpi më ka ndaluar që të kryej disa shërbime që ajo i ka të nevojshme, pra ky vendim ka ndikuar në të gjithë familjen time”, e mbyll 23 vjeçari.

Dhunë edhe në rrethe…?

Sikurse në Tiranë, protestat për Klodianin përfshinë dhe disa qytete të tjera e për pasojë edhe policitë vendore atje shoqëruan dhe arrestuan të dyshuar.

Një prej të arrestuarve në qytetin e Durrësit është edhe Artion Barjamaj. Me dyshimet e tubimit të paligjshëm dhe përhapjes së panikut në publik i riu përfundoi nën arrest flagrant.

“Me 15 dhjetor, pas vendimit në fletoren zyrtare se vrasja e Klodian Rashës ishte në mënyrë aksidentale, vendosëm që së bashku me tre miq të protestonim në një mënyrë të veçantë, siguruam një arkivol dhe vendosëm disa shkrime. Fillimisht u mblodhëm tek Pallati i Kulturës drejt veriut të qytetit, kishim në krah një arkivol me një flamur të Shqipërisë dhe disa shkrime si “Who is next?”, “Drejtësi për Klodianin”, “Demokracia”, “Drejtësia në Shqipëri”, po ecnim në trotuar dhe na dolën përpara Policia e Shtetit dhe ndaluan me argumentin e tubimit të paligjshëm dhe përhapje panikut në publik ose thënë ndryshe informacion i rremë. Pas disa diskutimeve mes efektivëve të policisë ato vendosën të na shoqëronin në komisariat dhe më pas shpallën edhe masën e arrestit, për mua dhe një nga protestuesit e tjerë”, tregon Barjamaj.

Artion Barjamaj përpara momentit të arrestimit

Arrestimi i tij u konsiderua pak orë më vonë i paligjshëm.

“Sipas gjykatës, unë kam qënë një pjesmarrës në protestë dhe jo organizator, ndërsa pikën e dytë nuk e mori në konsideratë të të përhapjes së panikut, ka edhe një kleçkë ligjore pasi VKM për gjendjen e jashtëzakonshme ka rënë dhe tubimi në bazë të Kushtetutës është e drejtë e çdo njeriu. Duke qënë se në këndvështrimin e punës më është shkaktuar një problem serioz kam menduar që të bëj një kallëzim penal ndaj Policisë së Shtetit, shprehet 30 vjeçari.

Po cili ishte momenti më i vështirë për të?

“Pjesa ku jam prekur më tepër është pjesa kur jam shoqëruar nga Policia drejt Gjykatë dhe aty më vendosën prangat dhe jam ndjerë sikur të isha një kriminel që kam bërë ndonjë krim të rëndë”, e mbyll rrëfimin e tij për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, Barjamaj.

Policia përballë protestuesve

Por ndryshe nga përshkrimet e të rinjve dhe prokurorëve që zbrisnin në sallat e gjykatave dhe ku në disa raste kërkuan kohë shtesë për provat, Policia raportonte me bindje për dëmet.

“Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale”, ishte një pjesë e njoftimit të Policisë së Shtetit me datën 11 dhjetor 2020 për arrestimin e 59 personave.

Veprat penale që u adresuan ndaj tubuesve nisnin nga organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’. Këto akuza u kushtuan lirinë në kryeqytet 92 shtetasve, katër prej të cilëve ishin të mitur nga mosha 16 deri në 17 vjeç. 345 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë dhe u referuan në këtë gjendje për hetime të mëtejshme.

Çfarë tha gjykata dhe Avokati i popullit?

Nga kjo shifër të arrestuarish Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, i dha shuplakën e parë policisë duke dërguar shumicën e të dyshuarve të shtëpi. Vetëm 3 persona qëndruan nën arrest me burg, të tjerët u lanë arrest me burg me afat nga 10 deri në 15 ditë dhe 36 u liruan nën masën e detyrimit me paraqitje.

E monitoruar nga Avokati i Popullit, protesta u pa në një tjetër këndvështrim. Pikërisht komisariatet e mbushura me protestues u konsideruan të mbipopulluara.

‘Po ashtu në raportin paraprak të datës 11 dhe 12 dhjetor thuhet se Drejtorinë Vendore të Tiranës, me datën 11.12.2020 gjendeshin 33 persona të arrestuar një numër ky i lartë krahasimisht me kapacitetet përkatëse, veçanërisht në kushtet e nevojës për të garantuar distancimin për shkak të emergjencës shëndetësore”, thuhet në raportin paraprak të Avokatit të Popullit për datat 11-12 dhjetor.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit